‘Bëj gjënë e duhur, ndryshe s’ke fonde’/ Paralajmërimi i Trump për kandidatin pro-palestinez për kryetar bashkie të Nju Jorkut

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se do të ndërpresë fondet federale për Qytetin e Nju Jorkut nëse kandidati demokrat për kryetar bashkie, Zohran Mamdani, nuk “bën gjënë e duhur” si kryetar bashkie.

Trump e bëri paralajmërimin gjatë një interviste për Fox News të transmetuar të dielën, duke shënjestruar Mamdanin, i cili siguroi nominimin demokrat për kryetar bashkie të martën.

“Nëse ai fiton, unë do të jem president dhe ai do të duhet të bëjë gjënë e duhur, përndryshe ata nuk do të marrin para. Ai duhet të bëjë gjënë e duhur”, tha Trump.

Ai e zgjeroi kërcënimin e tij ndaj çdo kryetari të ardhshëm të bashkisë së Nju Jorkut, duke thënë: “Kushdo që të jetë kryetar bashkie i Nju Jorkut do të duhet të sillet mirë, përndryshe qeveria federale do të jetë shumë e ashpër ndaj tij financiarisht”.

Trump më parë kishte kërcënuar shtete dhe universitete të ndryshme me shkurtime të fondeve federale nëse nuk i përmbaheshin politikave të tij.

Ai e etiketoi Mamdanin një “komunist” dhe shprehu tronditje për fitoren e tij të mundshme.

“Ai është komunist. Mendoj se kjo është shumë keq për Nju Jorkun”, tha ai.

«Është tronditëse», tha ai, duke shtuar: «Më parë thoja se nuk do të kemi kurrë një socialist në këtë vend, jo, por do të kemi një komunist».

Mamdani mundi ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Andreë Cuomo, në zgjedhjet paraprake të së martës, duke e pozicionuar veten si kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit të Nju Jorkut.

Kandidati demokrat ka qenë një mbështetës i zëshëm i Palestinës dhe kritik i Izraelit. Ai bashkëthemeloi degën e Studentëve për Drejtësi në Palestinë në Kolegjin Boëdoin dhe në vitin 2023 iu bashkua një greve urie jashtë Shtëpisë së Bardhë duke kërkuar një armëpushim në Gaza./ AA.