Mëso të jesh mik i vetes/ ‘Fuqia e vetëdhembshurisë’

Kur një mik kalon një periudhë të vështirë ose ndihet sikur ka dështuar, reagimi ynë i parë është zakonisht t’i ofrojmë ngushëllim dhe mirëkuptim. Por kur bëhet fjalë për veten, shpesh jemi shumë më të ashpër. Megjithatë, pak vetëdhembshuri mund të bëjë një ndryshim të madh.

Studimet tregojnë se në kohë të vështira apo stresuese, ata që tregojnë mirësi ndaj vetes kanë më shumë qëndrueshmëri emocionale.

“Mund të themi: ‘Bëra një gabim’, në vend të ‘Unë jam një gabim’,” shpjegon Kristin Neff, profesore e psikologjisë arsimore në Universitetin e Teksasit në Austin, e cila ka studiuar vetëdhembshurinë për më shumë se 20 vjet.

Çfarë është vetëdhembshuria?

Vetëdhembshuria është aftësia për të treguar mirëkuptim, butësi dhe mbështetje ndaj vetes gjatë momenteve të vështira – dhe për të kujtuar se papërsosmëritë janë pjesë e natyrës njerëzore. Ajo lidhet ngushtë me vetëdijen: të jesh i pranishëm në moment pa gjykim. Të jesh i sjellshëm me veten nuk do të thotë të dorëzohesh në vetëmëshirë apo të bëhesh pasiv. Është të kuptosh se dështimet dhe vuajtja nuk janë prova e dobësisë sonë, por përvoja që ndajmë si njerëz.

Mite dhe të vërteta

Një keqkuptim i zakonshëm është se vetëdhembshuria na bën dembelë ose na pengon të përmirësojmë veten. Por, siç vëren Neff, kërkimet tregojnë se mbështetja dhe inkurajimi janë motivues shumë më efektivë sesa kritika e ashpër.

Një tjetër mit është se vetëdhembshuria është thjesht një formë e kujdesit për veten. Në realitet, ajo përfshin gatishmërinë për të përballuar ndjenjat e vështira dhe për të vepruar në përputhje me vlerat tona – jo vetëm për të kërkuar rehati të menjëhershme. Siç shpjegon psikologu Steven C. Hayes, krijues i terapisë së pranimit dhe angazhimit, vetëdhembshuria është “fuqia për të qenë vetvetja, për të ndjerë plotësisht atë që ndjen – pa mbrojtje të panevojshme.”

Si të kultivoni vetëdhembshurinë

1. Flisni me mirësi me veten çdo ditë
Vëzhgoni mënyrën si i flisni vetes. Jeni mbështetës, apo kritiku më i ashpër i saj? Neff sugjeron që të përpiqemi t’i flasim vetes me të njëjtën dhembshuri që do t’ia tregojmë një miku të ngushtë në një moment të vështirë.

2. Praktikoni metodën RAIN
Psikologia Tara Brach rekomandon teknikën RAIN:

R – Njihni ndjenjat tuaja
A – Lejojini ato të jenë aty
I – Hetoni ndikimin e tyre në trup dhe mendje
N – Kujdesuni për veten

Kjo përfshin të kuptuarit e bindjeve të fshehta, si p.sh.: “Nuk jam i denjë për dashuri” apo “Nuk jam i mjaftueshëm.” Kur ta dalloni këtë, bëni një gjest qetësues – vendosni dorën në zemër, frymoni thellë, ose thuajini vetes fjalë si: “Është në rregull të ndihesh kështu” apo “Po bën më të mirën që mundesh.”

3. Jepni dhe merrni dhembshuri
Vetëdhembshuria na ndihmon të jemi më të hapur për të ofruar dhe marrë kujdes nga të tjerët. “Ne kemi nevojë për njerëz që janë të dhembshur me veten dhe me të tjerët,” thotë Neff. Ajo thekson se vetëdhembshuria përfshin edhe përpjekjet për të reduktuar dëmin, jo vetëm për veten, por edhe në një nivel shoqëror më të gjerë. Syri.net-Kathimerini