Abuzimi 400 milionë euro me inceneratorin e Tiranës, nuk ka sjellë pasoja vetëm për të gjallët, por tashmë po kthehet në problem edhe për ata që largohen nga kjo botë, e prehen në varrezat e Sharrës. Zgjerimi i landfillit për shkak të mosincenerimit ka barë bashkë fushën e mbetjeve me hapësirën e varrezave. Jo vetëm mungesë respekti nga institucionet për ata që largohen nga kjo botë, por era e rëndë që çlirohet nga mbetjet e bën situatën të padurueshme edhe për familjarët që duhet të nderojnë të afërmit e tyre
Syri TV
Në varrezat e Sharrës, grumbullimet e plehrave po i afrohen vendndodhjes ku prehen të ndjerët. Syri TV ka kryer një vëzhgim nga afër, ku shihet qartë se vetëm një rrugë ndan varrezat me grumbullimin e mbetjeve. Mali me mbeturina pranë varrezave është shembulli i indiferencës së strukturave vendore dhe mungesë respekti ndaj të ndjerëve, të cilët edhe në banesën e fundit trajtohen pa asnjë dinjitet.
Respekti mungon edhe ndaj qytetarëve që kanë të afërmit e tyre të ndjerë aty.
Me rritjen e temperaturave, kjo situatë rëndohet edhe më tepër.
Jashtë kamerës, qytetarë dhe banorë të zonës, thonë se dy ditë më parë, mbeturinat janë ndezur, ndërsa përgjegjësit e landfillit përpiqen t’i mbulojnë ato me dhe, por sërish problem i ndotjes mbetet i pazgjidhur. Sipas tyre, edhe pse kanë ngritur shpesh shqetësimin për këtë situatë, zërat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
E ndërsa institucionet nuk flasin dhe nuk i japin zgjidhje emergjencës së mbetjeve në Sharrë, pavarësisht milionave për një incinerator që nuk ekziston, qytetarët vazhdojnë të vidhen, madje duke i zaptuar edhe atë që do të jetë ‘banesa’ e tyre e fundit.
