Një limon i thjeshtë mund të jetë shpëtimtar dhe të bëjë udhëtimin me makinë shumë më të rehatshëm dhe të këndshëm, veçanërisht për ata që vuajnë nga marramendja gjatë udhëtimit.
Qëllimi kryesor gjatë çdo udhëtimi është të arrijmë shëndoshë e mirë në destinacionin tonë, por edhe të kemi një përvojë sa më të këndshme, diçka që mund të bëhet makth nëse fillojmë të ndihemi të sëmurë nga lëvizjet.
Sipas burimeve nga institucionet mjekwsore, të përziera nga udhëtimi mund të ndiejnë të gjithë, megjithatë janë më të ndjeshëm fëmijët 2-15 vjeç, gratë sidomos gjatë shtatzënisë ose menstruacioneve dhe personat që vuajnë shpesh nga migrena. Rreziku rritet gjithashtu kur udhëtojmë në rrugë me kthesa, kur lexojmë gjatë udhëtimit ose kur shikojmë telefonin celular për kohë të gjatë.
A mund të trajtohen këto të përziera? Sipas Dr. Karan Rangarjan, një mjek nga Mbretëria e Bashkuar, ekziston një metodë natyrale që nuk kërkon ilaçe, por një produkt që gjendet në çdo shtëpi: limoni. Në një video të postuar në rrjetet sociale, ai shpjegon se në momentin që fillojmë të ndiejmë të përziera, mjafton të nuhasim një limon.
“Sistemi i nuhatjes kap aromën e agrumeve dhe është i lidhur me sistemin limbik, i cili kontrollon edhe ndjenjat e të përzierave,” thotë ai.
Aroma e limonit gjithashtu stimulon prodhimin e pështymës dhe ndihmon zbrazjen e stomakut, duke reduktuar simptomat e të përzierave.
Më tej, aroma e fortë e frutave agrume vepron si një shpërqendrim ndijor, duke larguar vëmendjen e trurit nga ndjenja e pakëndshme e të përzierave.
“Kjo metodë mund të mos funksionojë për të gjithë, por përdorimi i xhenxhefilit, vajit të mentes ose vajrave të tjerë të agrumeve është një zgjidhje me kosto të ulët dhe relativisht e sigurt, pa nevojën e ilaçeve,” përfundon ai. Syri.net-iefimerida
