Gjyqtarët e shkarkuar nga Vettingu duan pension! Të pezulluar, por të paguar. Deri tani kanë përfituar 150 milionë lekë

Foto ilustruese

Një faturë prej gati 150 milionë lekësh llogaritet se është paguar ndaj të gjithë gjyqtarëve që u shkarkuan nga shkalla e parë e vettingut dhe që, sipas ligjit, ata duhet të merrnin 75% të pagës, sepse konsideroheshin të pezulluar nga detyra derisa të shprehej KPA.
Por kjo nuk është fatura e vetme që po paguhet ndërkohë nga buxheti i shtetit. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që u shkarkuan edhe nga shkalla e dytë, pra Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i janë drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të përfituar nga skema e sigurimit suplementar, kërkesa që janë refuzuar nga ky institucion, duke hapur një fenomen të ri.
I kontaktuar në telefon, kreu i këtij instituti, Astrit Hado, u shpreh i shqetësuar duke thënë se gjykatat administrative po u japin të drejtë të shkarkuarve nga detyra për të qenë pjesë e kësaj skeme.
Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar po kërkojnë në Gjykatën Administrative përfitim të pagës kalimtare.
Pagesa kalimtare që fitohet në gjykatë llogaritet në varësi të detyrës që ka mbajtur gjyqtari i shkarkuar. Për gjykatat e larta dhe prokurorët në organin qendror të akuzës deri në tre vjet, kurse për shkallët më të ulëta deri në një vit.
Nga 8 shkurti 2018 deri në 30 nëntor 2024, kur edhe i përfundoi mandati Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, u kontrolluan 805 gjyqtarë e prokurorë.
373 u konfirmuan në detyrë, ndërsa 268 të tjerë u shkarkuan, ndërkohë që për 105 të tjerë u dhanë vendime për ndërprerje të procesit. Të shkarkuarit iu drejtuan KPA-së, ku mandatin e Komisionerit Publik e ka marrë SPAK.
Top Channel