Në plazhin e Plepave, ndodhet kanali i hapur i ujërave të larta, i cili shkarkon ujra të papërpunuara urbane dhe ujra të zeza, duke shkaktuar një gangrenë ekologjike.
Ndotja që shkaktojnë ujrat e zeza përbën rrezik për banorët dhe pushuesit, pasi mund të kthehen në burime infeksioni në lëkurë. Pushuesit shprehen të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe kërkojnë marrjen e masave nga autoritetet përkatëse.
Sistemi i filtrimit i vendosur disa vite më parë, që mundësonte pastrimin e ujërave të ndotura para derdhjes së tyre në det, nuk është më në funksionim.
Kjo situatë përsëritet çdo vit dhe, pavarësisht ankesave të pushuesve, bashkia e Durrësit nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar derdhjen e ujërave të zeza në det.
Kanali rrjedh paralel me “Shtëpinë e Pushimit” të Ministrisë së Mbrojtjes, zbret nga fshatrat përtej rrugës dhe derdhet në det. Përveç ujërave të larta, në këtë shkarkohen dhe ujërat e përdorur të zonës së mbipopulluar kodrinore të Arapajt, Shkallnurit dhe një pjese të Shkëmbit të Kavajës, përfshirë dhe ujërat e zeza të dhjetëra ndërtimeve në zonë që ende funksionojnë me gropa septike.
