Trump: Është gabim që Putini nuk është pjesë e G7-ës

Donald Trump deklaroi se ishte një gabim përjashtimi i Rusisë nga grupi G8 i vendeve më të fuqishme dhe gjithashtu hodhi idenë që Kina të pranohet në këtë klub ekskluziv, ndërsa iu bashkua udhëheqësve të tjerë botërorë në Kanada për samitin e këtij viti të G7-s.

Organizatorët kanadezë janë përpjekur t’i japin formë një agjende që shmang zemërimin e Trump-it. Por natyra e paparashikueshme e presidentit amerikan u shfaq që përpara takimit të tij të parë të hënën në mëngjes.

“G7 më parë ka qenë G8,” tha Trump para gazetarëve që e shoqëronin, përpara takimit me kryeministrin kanadez, MarkCarney.

“Barack Obama dhe një njeri me emrin Trudeau nuk donin që Rusia të ishte pjesëmarrëse, dhe unë do të thosha se ky ishte një gabim, sepse mendoj që nuk do të kishim një luftë tani nëse Rusia do të ishte pjesë e grupit.

“Dhe nuk do të kishim një luftë tani nëse Trump do të ishte president katër vite më parë. Por nuk ndodhi kështu.”

Rusia u përjashtua në vitin 2014, pasi Vladimir Putin aneksoi Krimenë.

Zyrtarët europianë dhe të tjerë synojnë ta përdorin këtë samit për të shtyrë Trump-in të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës, dhe komentet e tij të para i zhgënjyen.

Megjithatë, presidenti amerikan më pas tha se do të ishte gabim të ftohej Putini në samitin në Kananaskis, një vend në rrëzë të maleve shkëmbore kanadeze.

“Nuk po them se duhet të jetë në këtë moment, sepse kanë ndodhur shumë gjëra,” tha ai, ndërsa Carney e dëgjonte.

Në vend të kësaj, Trump hodhi idenë e një roli të mundshëm për Kinën si ekonomia e dytë më e madhe në botë.

“Nuk është ide e keqe. Nuk më shqetëson. Nëse dikush do të propozojë që Kina të hyjë…,” tha ai.

“Por ti do kesh njerëz me të cilët mund të flasësh. Ata nuk flasin.”

Me sesionin që po shndërrohej në një konferencë shtypi të Trump-it, Carney ndërhyri.

“Nëse nuk ju shqetëson, do të ushtroj rolin tim si kryetar i G7-s,”tha ai, duke i ndërprerë pyetjet që i hidhnin gazetarët. “Sepse kemi edhe disa minuta me presidentin dhe ekipin e tij, pastaj duhet të fillojmë takimin për të trajtuar disa nga çështjet e mëdha.” / The Telegraph – Syri.net