Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar se puna në kantierët strategjikë të infrastrukturës vijon pa ndërprerje, edhe gjatë fundjavave. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balluku ka ndarë pamje nga puna intensive që po zhvillohet në lotin 7 të segmentit Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit të rëndësishëm ndërkombëtar VIII.
Ministrja theksoi se në këtë segment po punohet për ndërtimin e veprave inxhinierike, si bokse betoni dhe nënkalime, duke e cilësuar kantierin si një ndër më të avancuarit në kuadër të fazës së parë të punimeve.
“Ky është një projekt ndërkufitar që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe është pjesë e korridoreve europiane që synojnë të forcojnë lidhjen e rajonit me infrastrukturën kryesore të BE-së”, u shpreh Balluku.
Ajo bëri me dije gjithashtu se nga të dyja anët e kufirit – si nga pala shqiptare, ashtu edhe nga Maqedonia e Veriut – po punohet për të realizuar lidhjen në urën e re të Bushtricës, e cila do të shërbejë si pikë e re doganore dhe nyje strategjike për qarkullimin e mallrave dhe udhëtarëve.
Korridori VIII pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe tregtar të rajonit, përfshirë edhe funksionimin e Portit të Porto Romanos, i cili do të kthehet në një pikë kyçe logjistike që do t’i shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut.
