Zjarr në një anije mallrash në Indi, mbante mbi 2,000 ton karburant, katër persona rezultojnë të zhdukur

Ndërsa India mban zi për të vdekurit në rrëzimin e një avioni, situata në Detin Arabik është gjithashtu kritike, ku një zjarr ka shpërthyer në një anije mallrash me flamur të Singaporit. Roja Bregdetare Indiane po përpiqet ta tërheqë anijen për të parandaluar një katastrofë të mundshme ekologjike.

Pesë anije të rojes bregdetare, dy avionë Dornier dhe një helikopter po punojnë për të shuar zjarrin në anijen MV Wan Hai 503 me flamur të Singaporit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Indisë. Anija 269 metra e gjatë, që mban 2,128 ton metrikë karburant, është në det të hapur rreth 42 milje detare nga porti i Beypore në shtetin e Kerala-s.

Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes folën për një rrezik serioz për mjedisin detar dhe rrugët rajonale të transportit detar. Meqenëse zjarri nuk është shuar ende plotësisht, po vazhdojnë përpjekjet për të vendosur një rimorkiator dhe për ta larguar anijen nga bregu, me qëllim shmangien e një katastrofe të mundshme ekologjike.

“Situata mbetet kritike dhe po monitorohet vazhdimisht”, thuhet në deklaratë. Roja Bregdetare Indiane (ICG) tha se anëtarët e ekipit të shpëtimit u transportuan me vinç mbi anijen që po digjej të mërkurën për të ndihmuar në operacionet e tërheqjes.

Anija u nis nga kryeqyteti i Sri Lankës, Kolombo, më 7 qershor dhe pritej të mbërrinte të hënën në Portin Jawaharlal Nehru të Mumbait, porti i dytë më i madh i kontejnerëve në Indi. Roja bregdetare mori një sinjal shqetësimi nga anija të hënën në mëngjes, i cili raportoi një shpërthim dhe zjarr në një nga kontejnerët, i cili më pas u përhap me shpejtësi.

Nga 22 anëtarët e ekuipazhit, 18 e braktisën anijen me ndihmën e Marinës Indiane dhe Rojës Bregdetare, ndërsa katër persona rezultojnë të zhdukur, sipas një deklarate nga komandanti i ICG-së. Autoritetet indiane ende nuk e kanë njoftuar shkakun e shpërthimit dhe zjarrit.