Ekstradohen drejt Italisë tre shqiptarë pjesë e organizatave kriminale

Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, janë finalizuar me sukses procedurat për ekstradimin drejt Italisë të tre shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni u zhvillua si pjesë e veprimeve të përbashkëta policore ndërkombëtare, të koduara “The Wanted”.
Të ekstraduarit akuzohen për përfshirje në organizata kriminale dhe për kryerjen e veprave penale në territorin italian. Konkretisht:

Ervin Dema, 40 vjeç, i kërkuar nga Gjykata e Breshias, akuzohet për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale;
Edmond Zhuja, 41 vjeç, i kërkuar gjithashtu nga Gjykata e Breshias, akuzohet për të njëjtën vepër penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal;
Klaus Nikolli, 33 vjeç, i kërkuar nga Gjykata e Milanos, akuzohet për veprën penale “Vjedhje në rrethana rënduese”, e kryer si pjesë e një organizate kriminale.
Ekstradimi i tyre është rezultat i një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, si dhe një tjetër dëshmi e vendosmërisë për të luftuar krimin e organizuar transnacional.