Këtë të mërkurë, Presidentja e Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’, Liri Berisha, përuroi librin e saj të dytë, dedikuar fëmijëve të spektrit autik, të titulluar ‘Më prano kështu siç jam’.
Në këtë libër pasqyrohen historitë personale me sfidat dhe vështirësitë që hasin personat me këtë spektër dhe familjarët e tyre. Dr. Liri Berisha, gjatë fjalës së saj, apeloi për më shumë mbështetje financiare ndaj autizmit. I pranishëm në aktivitet ishte edhe bashkëshorti i Liri Berishës, lideri i opozitës Sali Berisha.
Më prano kështu siç jam, kështu titullohet libri i dytë shkruar nga Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha, i cili u përurua këtë të mërkurë, ku pasqyrohen 11 histori personale me sfidat dhe vështirësitë që hasin personat me spektrin autik dhe familjarët e tyre.
Gjatë fjalës së saj, doktoreshë Liri Berisha ndau emocionet për librin, teksa bëri thirrje për më shumë mbështetje ndaj fëmijëve autikë dhe prindërve të tyre, që ndeshen çdo ditë përtej sfidave emocionale dhe dhimbjes, dhe me pamundësitë financiare.
I pranishëm në përurimin e librit ishte edhe bashkëshorti i saj, lideri i opozitës Sali Berisha, si dhe profesorë, akademikë, të afërm dhe prindër të fëmijëve që vuajnë nga spektri autik.
Gjatë fjalës së tyre, Blerina Lala, mësuese njëherësh nëna e një fëmije me spektrin autik, doktoreshë Aida Bushati, analisti Artan Hoxha dhe gazetarja Sonila Mlloja folën për sfidat e përditshme të autizmit, teksa kërkuan të bëhet më shumë për sensibilizimin ndaj këtij spektri.
Në aktivitet u ndanë edhe mesazhe e histori personale nga prindër dhe fëmijë të spektrit autik.
