Ja si ta njihni
Sekrecioni vagjinal i kthjellët dhe i bardhë është normal. Por ndonjëherë mund të vini re një rritje të tij.
Si ta dalloni nëse kjo është normale apo një arsye për shqetësim?
Çfarë është sekrecioni vagjinal?
Sekrecioni vaginal është një lëng që prodhohet nga gjëndrat në qafën e mitrës dhe vagjinë, me qëllim pastrimin dhe mbrojtjen e mjedisit vagjinal. “Ai përbëhet nga mukus, baktere, sekrecione dhe qeliza të vjetra që trupi i hedh natyrshëm”, shpjegon Dr. Sadna Singhal Vishnoi, gjinekologe-obestetër.
Ky lëng luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit vaginal, duke:
• mbajtur vagjinën të pastër, duke larguar bakteret dhe qelizat e vdekura që mund të shkaktojnë infeksione.
• ruajtur ekuilibrin e pH-it vagjinal, që zakonisht është pak acid (pH 3.8-4.5), për të parandaluar rritjen e baktereve të dëmshme.
• lubrifikuar muret vagjinale, duke parandaluar thatësinë dhe shqetësimet.
• mbështetur fertilitetin, sepse gjatë ovulacionit sekrecionet bëhen më të rrëshqitshme dhe ndihmojnë spermatozoidet të arrijnë vezën.
Sasia normale e sekrecionit ndryshon, por deri në një lugë çaji në ditë konsiderohet normale, transmeton Telegrafi.
8 arsyet kryesore për rritjen e sekrecionit vagjinal
1. Ovulacioni
Gjatë mesit të ciklit menstrual, nivelet e estrogjenit arrijnë kulmin, dhe qafa e mitrës prodhon më shumë mukus cervikal, që bëhet i qartë, i rrëshqitshëm dhe elastik. Kjo ndihmon spermatozoidet të lëvizin më lehtë.
2. Shtatzënia
Nivelet në rritje të estrogjenit dhe progesteronit gjatë shtatzënisë çojnë në një rrjedhje të hollë, të bardhë si qumështi, që ndihmon në parandalimin e infeksioneve dhe krijon një mjedis të shëndetshëm për foshnjën.
3. Ngacmimi seksual
Gjatë ngacmimit seksual, gjëndrat e Bartholin prodhojnë lubrifikant të qartë, ndërsa qafa e mitrës lëshon më shumë mukus, duke rritur rrjedhjet vagjinale.
4. Kontrolli i lindjeve
Kontraceptivët hormonalë mund të shkaktojnë rritje të sekrecioneve për shkak të luhatjeve hormonale.
5. Infeksioni nga maja (Candida albicans)
Mund të shfaqet pas përdorimit të antibiotikëve, ngrënies së tepërt të sheqerit, stresit, shtatzënisë ose diabetit. Shfaqet si sekrecion i trashë, i bardhë dhe me kruarje.
6. Vaginoza bakteriale
Shkaktohet nga çekuilibri i baktereve vagjinale dhe manifestohet me sekrecion gri ose të bardhë, me erë të fortë peshku.
7. Infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST)
Gonorreja, klamidia dhe trikomoniaza shkaktojnë rrjedhje të verdhë ose të gjelbër, me erë të pakëndshme dhe inflamacion.
8. Menopauza
Nivelet hormonale ndryshojnë dhe mund të shkaktojnë rrjedhje më të holla, të qarta ose të bardha, shpesh shoqëruar me thatësi vagjinale.
Kur duhet të keni kujdes?
Nëse rrjedhja është e pazakontë në ngjyrë, aromë, shoqërohet me kruarje, djegie, apo shqetësim tjetër, këshillohet konsultimi me mjekun për diagnozë dhe trajtim.
Si të trajtohet rritja e sekrecionit vaginal?
• Infeksioni nga maja: Trajtohet me ilaçe antifungale dhe probiotikë për rikthimin e florës vaginale.
• Vaginoza bakteriale: Kërkon antibiotikë të veçantë dhe shmangien e shpëlarjeve vaginale.
• Infeksionet seksualisht të transmetueshme: Trajtim me antibiotikë sipas llojit të infeksionit.
• Çrregullimet hormonale: Menaxhimi përfshin ndryshime në dietë dhe stil jetese për balancimin hormonal.
Rritja e sekrecionit vagjinal mund të jetë një proces normal që lidhet me ndryshimet hormonale, por gjithashtu mund të sinjalizojë infeksione që kërkojnë trajtim. Kujdesi i duhur dhe konsultimi me mjekun janë çelësi për shëndet vaginal optimal.
