Pasi e futi në kontroll total drejtësinë, qoftë atë të ‘renë’ apo dhe atë të vjetrën, kryeministri Edi Rama e ka keqpërdorur në maksimum këtë sistem, duke vulosur vjedhjet e buxhetit dhe vjedhjet e zgjedhjeve, pa i hyrë gjemb në këmbë.
Por tashmë që drejtësia politike, e cila e kreu misionin e saj të kërkuar nga kryeministri për të goditur opozitën, vjedhur zgjedhjet dhe shkrirë buxhetin e shtetit për interes të Ramës, ajo ka shprehur edhe kërkesën e saj të re, apo ndarjen e ‘plaçkës së luftës’, rritjen sërish të pagave për gjyqtarët me 700 euro.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i kryeministrit Edi Rama në lidhje me këtë kërkesë të Unionit të Gjyqtarëve, duke theksuar se kjo është një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës.
Pasi e keqpërdori drejtësinë si armë kundër opozitës dhe si mburojë për vjedhjet qindra milionëshe, Rama ka kërcënuar edhe Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij kjo kërkesë nuk mund të pranohet sërish.
“Unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. ”, shprehet Rama mes të tjerash.
Postimi i plotë:
Interesante!
Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë!
Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.
Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën, duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!
Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit.
Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro!
Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…
Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë.
