Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se po shqyrton mundësinë e aktivizimit të një ligji 200-vjeçar – për të vendosur forca shtesë ushtarake në Los Angeles.
Duke iu përgjigjur gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se do të shqyrtonte mundësinë e aktivizimit të Aktit të Kryengritjes, një ligj i vitit 1807 – që u lejon presidentëve të dërgojnë trupa për të rivendosur rendin publik në situata të caktuara emergjente.
“Nëse ka një kryengritje, unë me siguri do ta aktivizoj atë”, tha Trump.
Presidenti ka dërguar tashmë mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe 700 marinarë në qytetin e Kalifornisë pas disa ditësh trazirash – të cilat u nxitën nga përpjekjet e forcave të sigurisë për të kryer bastisje të emigracionit.
Protestat u duk se u qetësuan dje në mbrëmje, megjithëse policia e Los Anxhelesit raportoi se ndërsa demonstruesit po shpërndaheshin, agjitatorët dhe keqbërësit brenda turmës plaçkitën bizneset dhe vandalizuan pronat.
Kritikët, përfshirë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, e kanë akuzuar Trump për nxitjen e tensioneve duke dërguar trupa.
Kostot e financimit të dislokimit të trupave ekzistuese për 60 ditë janë vlerësuar në 134 milionë dollarë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.
Pa dhënë prova, Trump fajësoi gjithashtu “kryengritësit e paguar” për dhunën në Los Anxheles.
“Këta janë kryengritës të paguar. Këta janë shkaktarë problemesh të paguar. Ata marrin para”, tha ai.
“Qyteti do të ishte djegur nëse nuk do të ishin dislokuar trupat”, tha Trump duke e krahasuar situatën me zjarret që shkaktuan dëme masive, këtë vit.
