Vrasja e asistentes me thikë/ Franca do të testojë shtimin e portave të sigurisë në shkolla

Kryeministri francez Francois Bayrou tha të martën se qeveria planifikon të testojë shtimin e portave të sigurisë në shkolla, pasi një nxënës 14-vjeçar dyshohet se vrau me thikë një asistente shkolle në qytetin Nogent, gjatë një kontrolli për armë në çantën e tij.

Policia po e merrte në pyetje adoleshentin, i cili po mbahej në xhandarmërinë në Nogent në verilindje, tha Prefektura Haute-Marne.

Vrasja e asistentes 31-vjeçare të shkollës u dënua me forcë nga klasa politike e Francës, duke shkaktuar mendime rreth asaj se si një akt kaq i dhunshëm mund të kryhej nga një i mitur.

 “Ndërsa kujdeseshim për fëmijët tanë në Nogent, një asistente arsimore humbi jetën, viktimë e një vale të pakuptimtë dhune”, shkroi Presidenti Emmanuel Macron në X. “Kombi është në zi dhe qeveria është mobilizuar për të ulur krimin.”

Prokurori publik i Chaumont, Denis Devallois, tha se i dyshuari e kishte goditur disa herë me thikë asistenten e shkollës.

Vrasja nuk ishte një incident i izoluar, u tha Bayrou ligjvënësve, dhe Franca nuk mund ta injoronte këtë valë dhune ndaj fëmijëve.

“Nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe ta shikojmë këtë valë që po përparon me krahët ulur”, tha ai.

“Qeveria synon të eksperimentojë me porta sigurie në hyrje të shkollave”, tha Bayrou, duke shtuar se donte të ndalonte disa thika, pasi aktualisht “një numër i caktuar i këtyre thikave nuk konsiderohen armë”.

Sulmi ndodhi në të njëjtën ditë kur një person i armatosur në Austri vrau të paktën nëntë persona në një shkollë të mesme në qytetin jugor të Gracit. Policia nuk e identifikoi publikisht të dyshuarin, por media austriake citoi raportime të pakonfirmuara duke thënë se ai ishte një ish-nxënës./ Reuters.