Kush kërkon të ‘lyejë’ historinë e Spaçit?/ Edison Lika: 730 persona nënshkruan peticionin brenda një javë

Në një intervistë për Syri TV me moderatoren Edvin Parruca, aktivisti Edison Lika komentoi situatën aktuale të kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke theksuar se Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe, ka “rënë në fatin e keq” për të drejtuar kulturën në vend.

Lika foli gjithashtu për aksionet e tij dhe të organizatave të tjera në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, duke përmendur ndërhyrjen e paprecedentë në një monument të rëndësishëm dhe dorëzimin e një peticioni në Ministrinë e Kulturës.

“Ministrit të Ekonomisë Blendi Gonxhes i ka rënë fati i keq të drejtojë kulturën në vendin tonë. Ky është një farë problemi që ne e kemi parë gjithë këto ditë të aktivizmit tonë dhe të asaj çfarë ishte kjo ndërhyrje e paprecedentë në një monument kulture të kategorisë së dytë, pa llogaritur atë çfarë përfaqëson ai objekt. Sot ishim për të dorëzuar një peticion pranë Ministrisë së Kulturës, jo sepse ne besojmë tek kjo ministri, por kjo ishte një nga hapat ku ishim ndalur gjatë këtij aksioni 1-javor. Ky peticion, për 6 ditë, u firmos nga 35 organizata dhe 730 individë. Nuk jemi angazhuar shumë në shpërndarjen e këtij peticioni, për shkak të angazhimit shumë intensiv që kemi pasur këtë javë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.” – tha Lika.