Rama ironizon opozitën: Shihni në ç’derexhe janë katandisur, e marrin lehtë popullin

Edi Rama

TIRANË- Pas fitores së thellë të mandatit të katërt qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka vendosur të dalë sërish në rubrikën e tij online “Sy m’sy”. Edhe pse nuk u ndal shumë gjatë në zgjedhje, kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën, duke iu thënë bashkëbiseduesëve të tij online që të shohin se ku kanë përfunduar kundërshtarët e tij politikë. Sipas Ramës, kjo e ka një arsye: sepse e marrin lehtë popullin.
“Është arsyeja më bindëse dhe më kuptimplotë e krenarisë që populli shqiptar më kupton më mirë dhe më shumë se ç’mund të pretendoja. Duke më dhënë një mijë e një arsye t’i qëndroj besnik edhe të bëj të pamundurën për të bërë sa më shumë për këtë vend dhe njerëzit e këtij vendi falë besimit dhe pushtetit që buron nga ky popull. U kam thënë atyre që e marrin lehtë dhe miqve në rrjete sociale, që është një popull që të jep ujë në bisht të lugës. Ju mund të ndiqni të tjerët gjatë këtyre ditëve se në ç’derexheje janë katandisur për të kuptuar se ç’ndodh kur e merr lehtë këtë popull,”- tha Rama.