Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar sot Rusinë për “lojë të pistë dhe politike” lidhur me vonesat në shkëmbimin e të burgosurve, një proces që sipas tij po pengohet nga pala ruse.
Në një fjalim të mbrëmjes, Zelensky paralajmëroi se moszbatimi i marrëveshjeve nga Rusia mund të rrezikojë seriozisht përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës që vazhdon prej më shumë se tre vitesh.
Ai u zotua të vazhdojë presionin për realizimin e shkëmbimit, duke theksuar se çdo shkelje e marrëveshjeve humanitare nga Moska minon përpjekjet ndërkombëtare, përfshirë SHBA-të, për të sjellë paqe.
Këto akuza vijnë pas deklaratave nga zyrtarë rusë që fajësojnë Ukrainën për shtyrjen e shkëmbimit të të burgosurve, akuza të cilat janë hedhur poshtë nga autoritetet ukrainase.
Zelensky tha gjithashtu se Ukraina nuk ka marrë ende listën e plotë të të burgosurve që do të lirohen sipas marrëveshjes së arritur në bisedimet në Turqi. Ai bëri thirrje për vigjilencë ndaj paralajmërimeve për sulme ajrore, pas rritjes së bombardimeve ruse në ditët e fundit.
Në këtë situatë, SHBA-të kërkojnë një armëpushim 30-ditor, ndërsa Rusia insiston për plotësimin e disa kushteve të caktuara para se të pranojë pezullimin e zjarrit.
Zelensky u bëri thirrje ukrainasve të jenë të kujdesshëm dhe të mbrojnë vendin e tyre në këto momente të tensionuara.
