Studim i ri: Kjo erëz mund të ndikojë në efektivitetin e ilaçeve që përdorni

Një studim i publikuar së fundmi nga Universiteti i Misisipit ka zbuluar se përbërësi kryesor i kanellës, cinnamaldehida, mund të ndërhyjë në mënyrën se si trupi përpunon disa ilaçe, duke ndikuar në efektshmërinë e tyre. Shkencëtarët paralajmërojnë se megjithëse sasi të vogla të kanellës nuk paraqesin rrezik, përdorimi i saj në doza të larta, sidomos përmes suplementeve, mund të çojë në zbërthim më të shpejtë të barnave dhe kështu në uljen e efektit të tyre.

“Probleme shëndetësore mund të ndodhin nëse konsumohen suplemente në sasi të tepërta pa këshillën e një profesionisti shëndetësor,” tha Shabana Khan, shkencëtarja kryesore e studimit. Ajo shton se rreziku rritet ndjeshëm te pacientët që marrin medikamente për sëmundje kronike.

Sipas raportimit të New York Post, studiuesit theksojnë se lëvorja e kanellës, veçanërisht ajo e njohur si kanella Cassia — një lloj më i lirë dhe më i përhapur — përmban kumarinë, një substancë që hollon gjakun dhe mund të jetë e dëmshme nëse konsumohet në sasi të mëdha. Ndërkohë, kanella e vërtetë nga Sri Lanka përmban nivele më të ulëta të kësaj substance.

“Rekomandimi ynë është që çdo përdorim i suplementeve të bëhet në konsultim me mjekun, veçanërisht nëse pacienti përdor ilaçe me recetë,” tha Amar Chitibojina, zëvendësdrejtor i Qendrës Kombëtare për Kërkime të Produkteve Natyrore dhe bashkautor i studimit. Ai theksoi se shtesat dietike nuk janë të destinuara për të trajtuar ose shëruar sëmundje.

Kanella prej kohësh është vlerësuar për përfitimet e saj të mundshme, si rregullimi i nivelit të sheqerit në gjak dhe vetitë anti-inflamatore. Por studimi i ri nënvizon rëndësinë e moderimit, veçanërisht për personat me gjendje kronike shëndetësore si diabeti, hipertensioni, obeziteti apo sëmundje autoimune.