SYRI TV/ ‘Vdekja le të presë’ hap festivalin DEA, në garë, 34 filma nga 20 vende të botës

Me filmin “Vdekja le të presë”, një homazh për Margarita Xhepën dhe moshën e tretë, nisi në Tiranë edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR. Me pjesëmarrjen e 34 filmave nga 20 vende, festivali synon të rikthejë publikun, veçanërisht të rinjtë, drejt kinemasë cilësore dhe të angazhuar.

Me filmin “Vdekja le të presë”, një homazh për ikonën e ekranit Margarita Xhepa, nisi edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, i cili këtë vit rikthehet në Tiranë nga data 9 deri më 13 qershor. Një hapje e fuqishme, jo vetëm si nderim për një figurë të dashur të kinemasë shqiptare, por edhe si një thirrje publike për të parë moshën e tretë si kontribuuese aktive në shoqëri.

Në një vend ku bota shqiptare nuk ka kinema si institucion, siç tha drejtori i festivalit Edmond Topi, DEA mbetet një mision për ta rikthyer spektatorin te kinemaja cilësore, veçanërisht të rinjtë. Sipas tij, mungesa e rrjeteve të kinemave dhe qasja e polarizuar ndaj artit filmik mes komerciales dhe alternativës e bëjnë të domosdoshëm një festival që shërben si urë mes autorëve dhe publikut.

Mirela Oktrova, drejtoreshë artistike e festivalit, theksoi rëndësinë e ndërlidhjes me kinemanë që e trajton me ndershmëri sfidën e njeriut me shoqërinë, jetën, komunikimin. Sipas saj, filmat e këtij viti synojnë t’i japin zë një narrative që e përfshin publikun në reflektim dhe dialog.

Në konkurrimin kryesor të filmave me metrazh të gjatë, Genci Përmeti veçoi një nga pjesëmarrësit më të spikatur: një film turk që ka marrë pjesë në Festivalin e Kanës dhe vlerësohet për krijimtarinë e tij të thellë.

Ajola Daja, në krye të seksionit të filmave të shkurtër dhe studentorë, theksoi rëndësinë e këtyre kategorive si trampolinë për kineastët e rinj.

Këtë vit, festivali zhvillohet në dy kinema të hapura: DEA OPEN AIR 1, në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, ku organizohen ceremonitë zyrtare dhe mbrëmjet gala; dhe DEA OPEN AIR 2, në Kinema Agimi, ku shfaqen programet e tjera konkurruese. Në garë janë përzgjedhur 34 filma nga 20 vende të botës. 7 filma janë në seksionin e metrazhit të gjatë, 14 në seksionin e filmave të shkurtër dhe 13 në atë studentor. Shqipëria përfaqësohet me katër filma studentorë, ndërsa pjesëmarrja ka një shtrirje gjeografike ndërkontinentale që përfshin nga Amerika Latine e deri në Azinë Juglindore. Paralelisht me festivalin, Akademia DEA do të zhvillojë më 10–12 qershor Takimin Rajonal të Shkollave të Filmit, ku do të mblidhen institucione akademike të rajonit për të forcuar bashkëpunimin në arsimin e kinemasë. Festivali DEA OPEN AIR mbetet kështu një nga nismat më të qëndrueshme për të promovuar kinemanë cilësore dhe për të ndërtuar një urë mes krijuesve, publikut dhe brezit të ri të kineastëve në Shqipëri dhe më gjerë.