Daily Mail: Pse trafikantët anglezë refuzojnë bashkëpunimin me shqiptarët

FOTO ILUSTRUESE

ANGLI-Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) pranon se kriminelët shqiptarë ushtrojnë “kontroll të konsiderueshëm” mbi tregtinë e drogës në Britani. Në shtëpi bari e lidhur me bandat shqiptare u zbulua së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar. Por ajo që e bën të veçantë këtë fermë është vendndodhja e saj – zona ‘West Derby’ e Liverpulit, një qytet që mafia shqiptare ka pasur gjithmonë vështirësi për ta depërtuar, ndryshe nga pjesa tjetër e Britanisë ku ajo dominon tregun e narkotikëve.
Në një artikull të publikuar së fundimi, gazeta Daily Mail ka zbuluar një sërë provash, përfshirë mesazhe tekstuale, që tregojnë se si bandat lokale ruajnë kontrollin mbi tregtinë e drogës në Liverpul dhe tregohen të kujdesshme për të mos lejuar rivalët shqiptarë të fitojnë terren.
Është territori i fundit i drogave në Angli që nuk kontrollohet nga mafia shqiptare, e cila ka forcuar pushtetin në Britani përmes reputacionit për besueshmëri, çmime të ulëta dhe gatishmëri për të përdorur dhunë vdekjeprurëse.
Si kanë arritur gangsterët e Liverpulit të mbajnë dominimin përballë një rreziku kaq të madh?
Shikuesit e serialit ‘This City Is Ours’ mund të kujtojnë një skenë ku Jamie Phelan – që përpiqet të zëvendësojë Michael Kavanagh si drejtues i perandorisë familjare të drogës – propozon të blejnë një ngarkesë nga trafikantë shqiptarë. Por Michael e refuzon idenë me zemërim, duke thënë se “nëse i përfshin shqiptarët, ata nuk do largohen më kurrë”.
Edhe pse skena është fiktive, prova nga jeta reale tregon se debati i bosëve të krimit në Liverpul për bashkëpunimin me furnizues nga Ballkani është shumë real.
Bandat shqiptare besohet se kanë marrë kontrollin e tregut britanik të kokainës, me vlerë 5 miliardë paund në vit, duke negociuar direkt me kartelet kolumbiane dhe duke konkurruar me çmime shumë më të ulëta kundër rivalëve kriminalë. Ato janë ndihmuar edhe nga lidhjet e ngushta me ‘Ndrangheta’-n italiane, që dominon tregun e kokainës në Evropën kontinentale, ndërkohë që kanë fituar reputacion për dërgesa shumë të shpejta dhe të besueshme.
Një nga emrat kryesorë është Dritan Rexhepi, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, i cili u ekstradua në Shqipëri më në fund në janar, pas 27 vitesh arratisje. Ky trafikant ishte përgjegjës për kontrabandimin e dhjetëra milionave paundë kokainë drejt Britanisë dhe vendeve të tjera evropiane dhe ishte në listën e më të kërkuarve nga policia e Londrës në vitin 2023. Ai thuhet të ketë qenë kreu i një karteli ndërkombëtar droge të quajtur Kompanio Bello dhe dyshohet se ka qëlluar për vdekje dy policë në Shqipëri në vitin 1999.
Vitin e kaluar, një dokument ligjor i rrjedhur nga Ministria e Brendshme britanike përshkruante bandat kriminale shqiptare si një “kërcënim akut” për Britaninë e Madhe dhe “shumë të përhapura në krimin e organizuar dhe të rëndë” në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata akuzohen për disa vrasje, përfshirë edhe atë të vitit 2021, kur u vra Rhys Thompson, një baba i ri, i cili u rrëmbye dhe u rrah për vdekje në një përleshje që lidhej me një tentativë të dështuar për të “taksuar” një fermë kanabisi, që besohej se drejtohej nga një bandë shqiptare