Kënga “Fruta Perime”, e interpretuar nga Kroni Pula, me muzikë, tekst dhe orkestrim nga Adrian Hila, është shpallur fituese e edicionit të 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Kjo këngë do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e ardhshëm të Junior Eurovision 2025.
Dy emra të njohur të muzikës shqiptare, Robert Radoja dhe Inva Mula, pjesë e jurisë së festivalit, vlerësuan nivelin e lartë artistik dhe përkushtimin e të gjithë pjesëmarrësve.
Pas natës finale, organizatorët e festivalit ndanë emocionet dhe reflektimet mbi punën dhe talentin e fëmijëve pjesëmarrës. Orjeta Kelaj, drejtoreshë e festivalit, dhe Manjola Lloja, producente ekzekutive, theksuan rëndësinë e këtij eventi për zhvillimin e artit dhe muzikës tek brezat e rinj.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte edhe ndarja e çmimit “Kujtim Alija”, që mban emrin e një prej figurave më të dashura të festivalit. Ky çmim iu dha skenografit Adnan Kastrati, për krijimin e një atmosfere magjike në skenën e këtij edicioni.
