Hollywood-i vjen në Gjirokastër — jo më si një ëndërr e largët, por si një realitet që po merr formë në rrugicat me kalldrëm, nën çatitë e gurta dhe përballë peizazheve që ngjajnë me skenografi të krijuar nga vetë Zoti.Sot, Gjirokastra nuk është vetëm një thesar i trashëgimisë kulturore shqiptare, por është shndërruar në një skenë magjike ku historia, arkitektura dhe pasioni për artin vizual takohen me syrin kërkues të kinemasë botërore.
Producentët më të mëdhenj të industrisë globale të filmit — nga Warner Bros., Amazon Studios, HBO, Disney, Paramount, NBCUniversal — vizituan këtë qytet unik, ku arkitektura e Perëndisë dhe mjeshtëria e njeriut kanë krijuar një mozaik hijeshie dhe autenticiteti. Ishin pikërisht këto elementë që i frymëzuan ata të shohin Gjirokastrën si një lokacion potencial për prodhime filmike ndërkombëtare.
Me mikpritjen e ngrohtë të Bashkisë Gjirokastër, organizimin e #FamtourAlbania dhe atmosferën e papërsëritshme që ofron qyteti, kjo vizitë u shndërrua në një udhëtim emocionesh, reflektimesh kreative dhe ideve konkrete për të ardhmen e kinemasë në Shqipëri.
Në këtë udhëtim ku Shqipëria i ofrohet botës jo vetëm si një peizazh i rrallë, por si një vend me infrastrukturë filmike në rritje dhe vullnet të qartë për të mikpritur produksione serioze, Gjirokastra dëshmon se është gati të jetë pjesë e hartës së filmit botëror. Një qytet që dikur frymëzonte kujtime, sot frymëzon kinemanë.
AV
