Një tjetër goditje ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike është finalizuar nga Policia e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “Porcione”, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Si rezultat i hetimeve të mbështetura në informacionet e siguruara në rrugë operative, u arrestua në flagrancë shtetasi L. L., 22 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë zbuluan një vend të përshtatur për fshehjen e lëndës narkotike, ku u gjetën dhjetëra doza me lëndë të dyshuar si kokainë, të ndara në porcione dhe të gatshme për shitje.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.
Policia e Durrësit thekson se operacione të tilla do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim goditjen e shpërndarjes së drogës në doza të vogla dhe rritjen e sigurisë në komunitet.
