Shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e dytë absolut në Konkursin Letrar Ndërkombëtar: “Salvo D’acquisto” organizuar nga Universum Academy në Lugano të Zvicrës. Ajo u nderua gjithashtu edhe me diplomë nderi nga kjo Akademi për arritjet e saj letrare. Romani fitues është në gjuhën italiane dhe titullohet: “Vite chiuse a chiave” (Jetë të mbyllura me çelës), botuar në vitin 2023.Në parathënien e librit të shkruar nga Manuela Raciti lexojmë: “Në një Bergamo të shkretë, shoqëruar nga vikatja e pandërprerë e ambulancave, fillon historia e Evës. Ky qytet, simbol i vuajtjes dhe i forcës, do të jetë mjedisi perfekt për t’i dhënë jetë këtij romani. Me një stil delikat dhe, në të njëjtën kohë, të drejtpërdrejtë, shkrimtarja Irma Kurti na shpalos jetën e protagonistes, duke treguar të kaluarën – intensive dhe të rëndësishme – të saj. Në këtë mënyrë, lexuesi do të jetë në gjendje të hyjë në majë të gishtave në jetën e gruas, qysh nga fëmijëria e deri në moshën e rritur. Duke vazhduar leximin, falë zhvendosjeve kohore mjeshtërore nga ana e autores, si dhe zgjedhjes së një këndvështrimi të shumëfishtë, do të zbulohet lidhja e thellë e protagonistes me nënën dhe raporti konfliktual me vëllain, brishtësia emocionale për arsye të mungesës së figurës së babait dhe përpjekja për të ndërtuar një familje. Ky roman na rrëfen se diçka e bukur mund të ndodhë gjithmonë, madje edhe në faqet e fundit të librit të jetës.”Kjo vepër është botuar në gjuhën shqipe nga “Lena grafik” në Kosovë me titullin “Ditët e fundit të një qyteti” në 2022 dhe në gjuhën angleze me të njëjtin titull “The last days of a city”, duke u shpallur romani më i mirë në konkursin e shpallur nga Shtëpia Botuese “Poetry Planet Book” dhe Çmimet Ophir të akredituara nga departamenti i arsimit në Filipine.IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Shqipëri, Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Liban e Kinë. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në 2021 u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjoz Naji Naaman Literary Prize, 2023 në Liban. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.Irma Kurti ka botuar mbi 100 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Ajo është një nga autoret shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 19 vende të botës.
Zvicër/Poetja Irma Kurti nderohet me çmim në Konkursin Letrar “Salvo D’acquisto”
