Avokati Spartak Ngjela është shprehur në mbështetje të zgjatjes së mandatit të prokurorëve të SPAK, duke theksuar se kjo është një kërkesë që gëzon përkrahjen e ndërkombëtarëve, në veçanti të Shteteve të Bashkuara. I ftuar në një studio televizive, ai vlerësoi se, edhe pse ndryshimet kushtetuese kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk përjashtohet mundësia që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike të bashkojnë votat për ta penguar këtë proces.
“Për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesën e SPAK për zgjatje të mandatit e ka në dorë mazhoranca, është nen kushtetues. E ka ajo në dorë, do kërkojë, duhet të hyjë në bisedime. SPAK nuk ka faj, ka zvarritje. Por është politika ndërkombëtare, do t’ua zgjasin mandatin, nuk shoh vështirësi, pse jo. PS dhe PD janë bashkuar bashkë kundër antikorrupsionit dhe reformës në drejtësi, gjithçka mund të ndodhi, por mendoj se nuk kanë aq forcë,” u shpreh Ngjela.
Ai mohoi kategorikisht që drejtësia të mund të ndikohet në rastin e Sali Berishës, duke theksuar se SPAK është nën drejtimin amerikan.
“Pse më fusni mua në këtë nivel, SPAK-un e drejton Amerika. S’ka asnjë diskutim. Politika amerikane e ka marrë në drejtim, Blinkeni, e tha ai, ‘do shpëtojmë Shqipërinë nga korrupsioni’. Ka marrë fund. A, nëse marrin pafajësinë është çështje tjetër. Por do shkojnë në gjyq, edhe Berisha, atje do vendoset, nëse marrin pafajësinë tjetër gjë.”
Ai u ndal edhe tek marrëdhëniet e liderëve politikë shqiptarë me vendet fqinje, duke kritikuar Sali Berishën për qasje antishqiptare në të kaluarën dhe duke nënvizuar ndikimin amerikan në zhvillimet politike në Shqipëri.
“Berisha është njeri i dyshimtë në SHBA. Pse nuk pyesni Ambasadën Amerikane, ka përfaqësues atje, është zëvendësi, pyeteni se do ua thotë. Berisha ka procese penale, është i dyshuar në Amerikë.
Ka qasje ai, me Beogradin dhe Athinën, nuk diskutohet ajo. Çdo antishqiptar kalon në fillim në Beograd dhe më pas në Athinë. Ata janë kundërshtarë shekullorë, dihet ajo punë. Ku pyesim ne për Greqinë, do marri Vorioepirin, janë budallëqe këto. Ne jemi nën patronazhin amerikan zotëri, kur të shkojë dhe Greqia në Amerikë atëherë po.”
Zgjatja e mandatit të SPAK, Ngjela: E drejton Amerika, PS-PD nuk i dalin dot kundër
