Në një takim të zhvilluar sot në Pallatin e Brigadave me deputetët dhe kandidatët e Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama ka shfrytëzuar fjalën e tij për të lëshuar ironi ndaj opozitës, veçanërisht ndaj Jozefina Topallit dhe Sali Berishës.
Duke komentuar ankesën e Topallit për “vdekjen e pluralizmit” pas rezultatit të 11 Majit, Rama përdori një ton sarkastik, duke e krahasuar rikthimin e saj në politikë me legjendën e Doruntinës.
“E rikthyer si një Doruntinë, mbi samarin e listës së mbyllur, të mushkës gërmuqe të partisë. Jozefina e vajtonte humbjen e zgjedhjeve me lot rrëke, me disa zarfa të Beratit, ku PS kishte marrë 90 përqind të votave. Vdiq, vdiq pluralizmi, thoshte. Na e vranë pluralizmin dhe vdiq, ku, ku e mjera unë.”
Rama ironizoi gjithashtu akuzat për manipulim të votave, duke thënë se socialistët janë quajtur hajdutë vetëm sepse opozitës i mungonin 200 mijë vota në zonat ku pretendonte se ishte më konkurruese.
Në një tjetër goditje ndaj opozitës, Rama nuk kurseu as Sali Berishën, të cilin e quajti:
“…një kufomë ambulante.”
Kreu i qeverisë theksoi se PS është forca që po mobilizon shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, ndërsa, sipas tij, opozita po fshihet pas preteksteve dhe dështimeve të veta.
‘U mungojnë 200 mijë vota’, Rama: E rikthyer si Doruntinë, Topalli vajtonte duke thënë se ne vramë pluralizmin
