“U aplikua një ‘blackout’ total për telefonatat”, Tedi Blushi zbulon detajet: Ja pse nuk e mbajti konferencën Ilir Meta

Konferenca për shtyp e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga qelia dështoi. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat hodhi akuza ndaj qeverisë dhe strukturave të sigurisë së burgjeve.
Blushi theksoi se Ilir Meta po mbahet në izolin të skajshëm në IEVP Jordan Misja, i privuar për të komunikuar me avokatin e tij dhe publikun.
“Meta nuk e realizoi konferencën me gazetarët në telefonin tim sepse në ‘Jordan Misja’ u aplikua një ‘blackout’ total për telefonatat”, deklaroi Blushi në një dalje për mediat.
Tedi Blushi thekson se ndalimi i kontakteve me avokatin Dylejman Karaj nga Studio Ligjore “Cakrani” është një tjetër shkelje e të drejtave të mbrojtjes dhe transparencës.
“Meta po mbahet në izolim ekstrem, pa asnjë fakt apo provë penale. Ndalohet të takojë jo vetëm avokatët, por edhe familjarët, deputetë, eurodeputetë dhe drejtues të Partisë së Lirisë”, theksoi Blushi.
Duke e quajtur situatën si një “farsë politike e shekullit”, ai publikoi një pjesë të relacionit të fundit të SPAK, për të cilin pretendon se nuk përmban asnjë provë konkrete ndaj Metës.
“Kjo farsë do të çmontohet në Tiranë dhe Strasburg”, u shpreh ai me tone të forta.