“Tragjikomedi e Edit”, Këlliçi ironizon vizitën e Kaja Kallas: Rama mashton për pasaportën europiane “me mik”

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar me tone të forta pas vizitës në Tiranë të Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.Në një status në Facebook, Këlliçi e cilëson takimin si “tragjikomedi”, duke ironizuar kontrastin mes deklaratave të Kallas dhe qëndrimeve të kryeministrit Rama.Sipas tij, ndërsa BE kërkon reforma shtetformuese për integrimin, Rama përpiqet të mashtrojë me idenë e “pasaportës europiane me mik”.Ai akuzon Ramën se përfaqëson një regjim të bazuar në hajdutëri të organizuar, krejt në kontrast me modelin europian.Këlliçi shprehet se vetë procesi i integrimit është fundi politik i Edi Ramës, ndaj dhe përpiqet ta deformojë.“Qytetarët e dinë: me Ramën nuk ka Europë, ka vetëm korrupsion, shpopullim dhe keqqeverisje,” përmbyll ai.
Këlliçi:

Tragjikomedia e radhës u luajt me Shefen e Politikës së Jashtme Kaja Kallas dhe kryeministrin më të pasur të vendit më të varfër të Europës.

Ndërsa kryediplomatja europiane e deklaroi qartë se nuk ka rrugë të shkurtër për në BE dhe se duhet të kalohet patjetër përmes reformave shtetformuese, shakatori në krye të qeverisë u përpoq të shiste gënjeshtrën e marrjes së pasaportës europiane “me mik”.

Kjo kontradiktë është e pritshme. Ndërsa Europa po përballet me sfida të mëdha dhe po forcon institucionet e veta, regjimi i Ramës i bazuar në hajdutërinë e organizuar është në kontrast të plotë me modelin europian shtetformues.
Vetë procesi i integrimit europian është fundi i tij politik.
Ai e di shumë mirë këtë.
Por edhe qytetarët shqiptarë e dinë se me Ramën nuk ka Europë. Ka korrupsion, shpopullim dhe keqqeverisje.