Banka e Shqipërisë raporton se rreth 45% e banesave të shitura gjatë vitit 2024 janë blerë nga jorezidentët, interesi më i madh i të cilëve, sipas agjentëve imobiliarë, është për prona në bregdet.
Për shkak të interesit të lartë, edhe çmimet për metër katror në qytetet bregdetare kanë pësuar rritje të ndjeshme.
“Unë shoh zhvillimin, si po vjen kërkesë-oferta, çdo shqiptar po i drejtohet tregut të pronave, ai që ka disa para të kursyera po blen një shtëpi të dytë, shtëpi për Booking, për të pasur për investim në bregdet. Rritja e çmimit ka nisur nga Velipoja, Shëngjin, që kanë qenë me 660 euro, sot ka shkuar 1500 euro. Në Durrës ka qenë 900 euro, sot është 1600 euro, edhe në Golem është 1200 euro. Rritja më e madhe është pësuar në Vlorë, Lungomare, para 3 vitesh mund të gjeje apartament me 850 euro, sot ka shkuar deri në 3000 euro në vijë të parë. Në Jalë ka edhe me 4-5000 euro për metër katror, në Himarë ka një çmim 2000 euro afërsisht. Ksamili sot nuk ka poshtë 2200 euro për metër katror. Në Sarandë brenda shkojnë deri në 2600 euro, 1800, 2400, në qytet ke deri në 1800 euro për metër katror.”, tha Gjin Gjoka, ekspert i tregut të pronave.
“Shqipëria ka hyrë në një trend pozitiv përsa i përket blerjeve, ndryshe nga vitet e mëparshme kur Shqipëria shihej me risk për të investuar. Dikur ka qenë shqetësim që kur ti blije një apartament, nëse ishte i pacertifikuar, kishe frikë se ishte i shitur te dikush tjetër, sot nuk ndodh më sepse edhe nëse është i pacertifikuar, ai regjistrohet në ASHK me të dhënat e pronës. Në Sarandë, çmimi varion nga 2000 euro e sipër. Po ashtu, Vlora shkon në 2200, 2300 euro në vijën e parë bregdetare”, shprehet Dorjan Sanxhaku, ekspert i tregut të pronave.
Veç blerësve tradicionalë, interes për të investuar në prona në vendin tonë kanë shfaqur edhe amerikanët e anglezët.
“Shqipëria është e kërkuar shumë nga ukrainas, polakë, çekë, rusë. Kemi shumë edhe nga Kosova, sidomos në zonën e Shëngjinit dhe të Velipojës. Ukrainas dhe rusë janë të përqendruar në Vlorë. Ndërsa të tjerë i drejtohen Jalës, Dhërmiut, Qeparos dhe Borshit. Gjermanët e pëlqejnë shumë, edhe anglezët kanë interes”, tha Gjoka.
Dorjan Sanxhaku, ekspert i tregut të pronave shtoi:
“Nga viti në vit shtohen edhe kombësitë që blejnë. Mbeten dominantë çekët dhe polakët, ukrainasit, italianët, anglezët, kemi blerje të shumta edhe nga amerikanët.”
Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e shkuar pati më shumë transaksione me një çmim deri në 5% më të ulët se çmimi i kërkuar nga shitësi.
/vizionplus.tv
