Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini apeloi për më shumë kujdes gjatë këtyre ditëve të nxehta, sidomos për fëmijët nën 5-vjeç, gratë shtatzëna dhe të moshuarit. Në një intervistë televizive, Tomini u shpreh se të rrezikuar janë edhe ata që janë të ekspozuar në diell gjatë ditës për shkak të punës që bëjnë, apo edhe ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese.
Tomini tha se nëse është e nevojshme të shmanget orari i pikut nga ora 11 deri në 6 të pasdites.
“Kujdesi ndaj temperaturave të larta është prioritet për secilën grupmoshë, por më të predispozuar janë fëmijët nën 5-vjeç, gratë shtatzëna, që shoqërohen me sëmundje të tjera kronike. Në goditje nga të nxehtit janë edhe disa nga profesione të caktuara si në bujqësi, punonjësit e ndërtimit të ekspozuar gjatë gjithë kohës jashtë. Ka subjekte që në mënyrë natyrale apo fiziologjike nuk e përjetojnë mirë goditjen nga të nxehtit apo ekspozimin nga temperaturat e larta prandaj rekomandimet janë për evitimin e daljeve në orët e pikut nga ora 11 deri në 18 të pasdites.”, u shpreh Tomini.
Drejtoresha e ISHP theksoi se është e nevojshme që gjatë këtyre ditëve të përdoren kapele, të mbahen syze dhe një shishe ujë me vete. Rekomandoi përdorimin e veshjeve me ngjyra të çelëta dhe pambukut për të shmangur djersitjen. Kujdes duhet treguar, tha ajo, edhe me ndryshimin e temperaturave, pasi kalimi nga një mjedis më i freskët nga kondicioneri te temperaturat e larta jashtë mund të rrisin rrezikun për atakë kardiake, ndryshime tensoni apo hipertension.
“Veshjet me ngjyrë të çelët të jenë të pambukta dhe jo sintetike që të mos favorizojnë djersitjen pasi nga djersitja humbasim edhe elementë të tjerë të metabolizmit. Me djersitjen humbasim edhe mikroelementët, është e domosdoshme që veshjet të jenë më të lehta. Të respektojmë marrjen e medikamenteve për sëmundjet bashkëshoqëruese që kemi sipas mjekut. Të mos neglizhojmë asnjë vakt.
Të pimë sa më shumë lëngje apo ujë gjatë ditës se për shkak të djersitjes çrregullohen edhe mekanizma të tjerë të organizmit të ushqehemi sa më lehtë dhe me më pak yndyrna, të kalojmë te zarzavatet e stinës, supë apo ushqime të lëngshme, të mos konsumojmë shumë kripë apo yndyrna. Për fëmijët e vegjël, në kohën e gjidhënies, të ushqehen sa më shumë me gji. Për fëmijët mbi 1-vjeç ekspozimi në diell nuk rekomandohet në orët e pikut. Asnjë fëmijë i moshës pediatrike nuk duhet lënë vetëm qoftë në shezllonge. E njëjta këshillë është për moshën e tretë. Të kujdesemi për prindërit apo të moshuarit që kemi vetëm në shtëpi. “, u shpreh Tomini.
‘Të evitohen daljet në orët e pikut’, Tomini jep këshilla për temperaturat e larta: Pini sa më shumë lëngje
