Të dhënat e INSTAT: Ngadalësohet transporti ajror, bie nga deti

Aktiviteti i transportit është ngadalësuar në tre muajt e parë të vitit. Të dhënat e INSTAT bënë të ditor se numri i pasagjerëve që udhëtuan nga ajri u rrit me 9.1% në tremujorin e parë me baze vjetore, nga rreth 64% që kishte qenë zgjerimi në tremujorin e parë 2024. Edhe volumi i mallrave të transportuara nga porti kryesor i vendit, ai në Durrës ka ardhur në rënie me 3.3%.
2.1 milionë pasagjerë udhëtuan nga ajri
Në transportin ajror gjatë tremujorit të parë 2025 kanë operuar 19 shoqëri ajrore, nga këto 18 janë shoqëri të huaja dhe 1 shoqëri shqiptare. Në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 65.146 avionë, nga të cilët 79,5% të tyre e zë numri i mbikalimeve.
Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 550,5 ton, nga të cilat 74,5% janë mallra të hyrë dhe 25,5% janë mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e parë 2024, volumi i mallrave paraqitet me rritje 10,2%. Në tremujorin e parë 2025, kanë udhëtuar me linja ajrore 2.083.050 pasagjerë nga 1.909.757 pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur me 9,1%.
Volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) me ajër në tremujorin e parë 2025 është 396 ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky tregues është rritur me 2,8%. Volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e parë 2025 zë 0,02% ndaj volumit gjithsej të mallrave të importuara.
Bie transporti i mallrave nga deti
Në Shqipëri operojnë katër porte detare të cilët shërbejnë për transport mallrash: Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë). Porti i Durrësit është porti kryesor në vend prej të cilit, gjatë tremujorit të parë 2025, janë transportuar 94,5% e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 1.553 mijë ton mallra. Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është ulur me 3,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Llojet e grup-mallrave kryesore të transportuara nëpërmjet rrugëve detare sipas klasifikimit, NST 2007 (Nomeklatura e Statistikave të Transportit), për tremujorin e parë 2025 paraqiten si më poshtë: Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 206 anije, nga këto 191 anije janë të huaja dhe 15 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është ulur me 32,2%, ku numri anijeve të huaja është rritur me 7,3%, krahasuar me tremujorin e parë 2024.
Portet detare ku kryhet transporti pasagjerëve në vend janë: Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe porti i Shëngjinit. Lëvizja e pasagjerëve në tremujorin e parë 2025 është kryer nga porti i Durrësit, Vlorës dhe porti i Sarandës. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është 133.503 persona, nga 135.7 mijë të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Porti i Durrësit është porti nga i cili kanë udhëtuar 81,1% e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Vlorës me 10,9% dhe më pas porti i Sarandës me 8,0%. Në tremujorin e parë 2025, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është 1.270 mijë ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky tregues është ulur me 3,6%.
Volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e parë 2025 zë 34,9% ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara. Volumi i mallrave të importuara me det në tremujorin e parë 2025 zë 63,7% ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara./ Monitor