Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vijuar fushatën për zgjedhjet e 11 majit nga qelia, duke shpallur disa pika të një plani ekonomik të fokusuar në ndihmën për biznesin e vogël dhe përforcimin e prodhimit vendas.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se gjatë vizitave të mëparshme ka takuar qindra sipërmarrës të vegjël dhe se shqetësimet e tyre janë në qendër të angazhimit të tij politik. Ai akuzoi qeverinë aktuale për dështimin në mbështetjen e prodhimit “Made in Albania”, duke e quajtur “Narkoqeveri” që, sipas tij, favorizon vetëm importin.
Në planin e shpallur, Meta premton masa të ndjeshme fiskale dhe subvencione, si më poshtë:
Taksa e sheshtë 10% për kapitalin dhe të ardhurat nga puna, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para
Zero taksim për profesionet e lira dhe biznesin e vogël
Ulje e TVSH-së në 15%
Reduktim i çmimit të energjisë për biznesin në 6 lekë për KWh
Ulje me 40% e çmimit të naftës
Subvencione për bujqësinë deri në 230 milionë euro, pesë herë më shumë se aktualisht
“Edi Rama është kryetaksa dhe kryegjoba më grabitqare për shqiptarët. Taksa e sheshtë 10% mbi kapitalin dhe të ardhurat nga puna, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para. Zero taksim për profesionet e lira dhe biznesin e vogël. TVSH e reduktuar në 15%. Uljë drastike e çmimit të energjisë për biznesin në 6 lekë për Këh. Çmimi i naftës do të ulet me 40%. Subvencionet për bujqësinë do të pesëfishohen, duke arritur në 230 milionë euro.” – ka shkruar Meta.
