Për të njëzetën herë, sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në përpjekje për ta konstituuar përfundimisht legjislaturën e re. Procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërkohë që seancat po mbahen çdo 48 orë, pa ndonjë rezultat konkret.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë që Albulena Haxhiu të zgjidhet në krye të Kuvendit, por kjo është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – të cilat e konsiderojnë atë si një figurë përçarëse dhe refuzojnë ta votojnë.
Në përpjekje për të zgjidhur këtë ngërç, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ka tentuar disa herë të kalojë në votim themelimin e një Komisioni që do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit, por edhe ky propozim po dështon për shkak të mungesës së kuorumit.
Në këtë sfond tensioni politik, ka sinjale të reja që mund të sjellin një kthesë. Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi të enjten se vendi është pranë formimit të një shumice të re parlamentare, e cila do të mund të zhbllokonte situatën aktuale.
Limaj tha se partia e tij është e gatshme të japë kontribut të plotë në këtë drejtim dhe theksoi se shumica duhet të krijohet para se të shkohet në votim në Kuvend. Ai la të nënkuptohet se po zhvillohen lëvizje të rëndësishme politike në prapaskenë dhe se shumë shpejt mund të ketë zhvillime pozitive.
“Shumica do të vijë së shpejti. Në bisedimet politike ka një mënyrë të të shprehurit – nuk thuhet as po, as jo, por kërkohet mirëkuptim për të kuptuar drejt kahjen. Ajo që mund të siguroj është se NISMA do të japë maksimumin për të dalë nga kjo krizë,” deklaroi Limaj.
Përballë një ngërçi që po zgjat prej javësh, mbetet të shihet nëse dita e sotme do të shënojë një hap përpara drejt konstituimit të Kuvendit dhe kthimit të funksionalitetit institucional në Kosovë.
/vizionplus.tv
