Në Durrës, divorci po shndërrohet në një fenomen gjithnjë e më shqetësues. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Gjykatën e këtij qyteti janë regjistruar 1,307 çështje për zgjidhje martese. Arsyet janë të shumta dhe më të larmishme sesa më parë.
Sipas një avokateje, ndryshe nga vitet e kaluara, sot nuk është më tradhtia arsyeja kryesore e ndarjes së çifteve, por problemet ekonomike dhe mungesa e përgjegjësive në çift. Ajo thekson se shumë martesa bëhen në moshë të re, pa pjekurinë e duhur për të përballuar sfidat. Sipas saj, shpesh burrat nuk punojnë, ndërsa gratë përballen të vetme me barrën ekonomike të familjes, çka çon në konflikte e ndarje.
Edhe qytetarët shprehen me tone të ndryshme për këtë fenomen. Disa e lidhin rritjen e divorceve me mungesën e durimit dhe seriozitetit në marrëdhënie, të tjerë me lakminë për para apo dëshirën për eksperienca të reja. Ka nga ata që shohin divorcin si një emancipim të shoqërisë, por edhe si pasojë e kushteve të vështira ekonomike që shkatërrojnë marrëdhëniet.
Megjithatë, pasojat më të mëdha i vuajnë fëmijët. Shpesh prindërit harrojnë se, ndonëse martesa mbyllet ligjërisht, detyrimet e tyre ndaj fëmijëve nuk duhet të marrin fund. Ekspertët nënvizojnë se divorci nuk është vetëm një proces gjyqësor, por një fenomen që kërkon angazhim të gjerë institucional për të shmangur ndikimet e rënda sociale, veçanërisht tek fëmijët.
Shtohen divorcet në Durrës/ Nga problemet ekonomike te mungesa e përgjegjësisë prindërore
