Më 23 korrik, rrjetet sociale të qeverisë shqiptare u përmbytën nga një valë entuziazmi zyrtar. Ministri i Jashtëm Igli Hasani shpalli një arritje historike: Shqipëria, sipas tij, kishte “hapur të gjithë kapitujt e negociatave” me Bashkimin Europian.
Në një video të publikuar nga Kryeministria, qytetarët u informuan se hapja e “grupkapitullit 5”, që përfshin bujqësinë dhe kohezionin, do të sjellë modernizim të sektorit, ndihmë për fermerët dhe standarde më të larta të sigurisë ushqimore. Kryetarja e Kuvendit shkoi më tej, duke deklaruar se ky zhvillim “përmbyll çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave”.
Por, kur premtimet e politikës përballen me faktet, realiteti shpesh del të jetë më i ndërlikuar.
Çfarë thotë Bashkimi Europian?
Në përgjigje të një kërkese zyrtare për informacion nga “Faktoje”, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ofroi një panoramë të qartë të progresit të Shqipërisë në procesin e negociatave.
Shqipëria deri tani ka hapur negociatat e anëtarësimit për katër grupe kapitujsh.
Deri më tani, sipas Delegacionit, janë hapur vetëm katër nga gjashtë grupkapitujt e parashikuar në metodologjinë e re të zgjerimit:
Grup-kapitulli 1: Themelet e demokracisë – hapur në tetor 2024Grup-kapitulli 6: Marrëdhëniet e jashtme – hapur në dhjetor 2024Grup-kapitulli 2: Tregu i brendshëm – hapur në prill 2025Grup-kapitulli 3: Rritje konkurruese dhe përfshirëse – hapur në maj 2025Ndërsa grupi Grup-kapitulli 4 (Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme) dhe Grup-kapitulli 5 (Burimet, bujqësia dhe kohezioni) mbeten ende të pahapura.
Dakordësia s’është hapje
Mospërputhjet mes deklaratave të zyrtarëve të lartë shqiptar dhe delegacionit europian në Tiranë duket se vijnë për shkak të interpretimit të një akti diplomatik. Dakordësia e vendeve anëtare të BE-së për të ftuar Shqipërinë të paraqesë pozicionin negociues për Cluster-in 5. Ky është një hap i rëndësishëm, por jo i barazvlefshëm me hapjen formale të grupkapitullit, thekson Blerjana Bino nga qendra SciDev për Faktoje.
“Hapja formale dhe zyrtare ndodh vetëm pas dorëzimit të Pozicionit Negociues [dokument ku qeveria sqaron qartë ku qëndron aktualisht vendi në lidhje me kriteret e kërkuara nga BE-ja, cilat reforma janë ndërmarrë deri tani, cilat do të ndërmerren në të ardhmen dhe si planifikon Shqipëria të plotësojë standardet e BE], vlerësimit pozitiv nga Komisioni Evropian dhe miratimit unanim nga Këshilli i BE-së në një Konferencë Ndërqeveritare” – Blerjana Bino, SciDev.
Sipas metodologjisë së zgjerimit, një grupkapitull konsiderohet i hapur vetëm pas përfundimit të Konferencës Ndërqeveritare, për të cilin nuk ka ende një datë. Deri atëherë, hapja është vetëm një projekt politik në pritje.
Kronologji politike vs. kronologji zyrtare
Tendenca e qeverisë për të përshpejtuar kronologjinë e progresit europian të vendit nuk është e re. Në një vend ku integrimi europian është kauzë e mbështetur gjerësisht nga publiku, retorika optimiste politike ofron një valë të shpejtë miratimi popullor – edhe kur nuk mbështetet nga faktet.
Megjithatë, për të qenë të saktë dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, dallimi mes dakordësisë për nisjen e negociatave dhe hapjes formale të kapitujve nuk është thjesht një detaj teknik – është një tregues i maturisë institucionale dhe saktësisë në komunikim.
Transparenca dhe qartësia e komunikimit publik mbi statusin real të negociatave është kyç për informimin e qytetarëve mbi kompleksitetin e procesit dhe shmangien e keqkuptimeve, pritshmërive jorealiste dhe mosbesimit ndaj procesit, thekson Blerjana Bino.
Faktoje kontaktoi edhe Ministrinë e Jashtme e cila në përgjigje të kërkesës për informacion konfirmoi se Shqipëria ka hapur deri tani katër nga gjashtë grupkapitujt e negociatave për antarësim me Bashkimin Europian.
Përfundimi: Po, progres ka. Por jo të gjithë grup-kapitujt janë hapur.
Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian dhe ka hapur zyrtarisht katër nga gjashtë grupkapitujt duke iu afruar synimit për të mbyllur hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda vitit 2025, premtim ky i dhënë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por, deklaratat e zyrtarëve të lartë që pretendojnë se “të gjithë kapitujt janë hapur” janë të pasakta dhe çorientuese.
Në mungesë të një Konference Ndërqeveritare për grup-kapitujt 4 dhe 5, procesi mbetet i papërfunduar. E vërteta është se Shqipëria është afër, por ende jo në përfundim të hapjes së të gjithë grup-kapitujve. Dhe Integrimi europian, ashtu si demokracia, është një proces që kërkon më shumë se vetëm entuziazëm – kërkon transparencë dhe përmbajtje. Ndaj nisur nga këto të dhëna, deklaratën e ministrit të jashtëm Igli Hasani se Shqipëria hapi negociatat për grup-kapitullin e fundit të negociatave me BE-ne do e kategorizojmë të pavërtetë.