Shfaqja teatrore “12 burra të zemëruar” premierë në Teatrin Kombëtar

Nga Julia Vrapi
“12 burra të zemëruar” shfaqje premierë në Teatrin Kombëtar. Në qendër të shfaqjes teatrore me regji nga Albert Minga qëndron një akuzë, 12 perspektiva të ndryshme dhe një vendim i vështirë. Veprën e autorit Reginald Rose që trajton tema universale e sjell në skenë regjisori Albert Minga, që ka zgjedhur të ruajë strukturën origjinale të saj, por duke i dhënë një frymë të re. Në rolet e veprës një kast aktorësh të njohur për publikun. Premiera teatrore vjen në skenë pas një pune që ka vijuar regjisori Albert Minga me aktorët, i cili shprehet se tashmë publiku ka mundësin të takojë “12 burrat e zemëruar”.
“Më në fund çasti i mirëpritur erdhi! Rrugëtimi i gjatë nis dhe merr udhë sot! Miq dhe dashamirës të shumtë, ju të dashuruar pas teatrit, tashmë keni mundësinë “të takoheni” me “12 burrat e zemëruar”, keni mundësinë të mësoni gjithçka për ta…Ejani në teatër!..Ne po ju presim!”, shprehej një ditë më parë regjisori i mirënjohur Albert Minga në rrjete sociale. Si regjisor Albert Minga ka sjellë dhe të tjera vepra teatrore që janë mirëpritur dhe vlerësuar nga publiku dhe kritika e teatrit, por këtë herë ai sjell në skenë veprën e autorit Reginald Rose. Në rolet e veprës janë Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Myzafer Zifla, Lulzim Zeqja, Ligoraq Riza, Florian Agalliu, Besmir Bitraku, Donald Shehu, Igli Zarka dhe Doriana Çaushi.
Vepra “12 burra të zemëruar” në skenë
Duke u përqendruar te një djalë 16-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, drama e sallës së gjyqit “gërmon” në përvojat personale, diskriminimin dhe emocionet që pengojnë sistemin e drejtësisë dhe mënyra si arsyeja, logjika dhe dhembshuria mund të ndikojnë në proces. Viktor Zhusti me rol në këtë premierë që e sjell në skenë regjisori Albert Minga, ndërsa flet për atë që përcjell shfaqja thotë se problemi është shumë më i rëndë. “Këtu nuk luftohet për të gjetur nëse është ose jo fajtori një fëmijë. Nuk është ky problemi kryesor. Të gjejmë një kriminel. Po të ishte kushti do ishte thjesht një dramë policore e thjeshtë, pa interes. Problemi është shumë më i rëndë dhe shumë më i nënvizuar, t’i thërrasim arsyes njerëzore”, shprehet aktori Viktor Zhusti. Ndërsa aktori Alfred Trebicka thotë se vepra ka shumë mesazhe.
“Karakteri që unë kam i thotë treshit, atij rebelit të pandreqshëm që duam argument. Në këtë sens vepra ka shumë mesazhe sa i përket qasjes që ne duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit”, thotë aktori Trebicka. Produksioni më i ri i Teatrit Kombëtar që ka një kast aktorësh të njohur në role, rikthen pas vitesh mungesë në teatër edhe aktorin Niko Kanxheri. Pjesë e kësaj premiere, aktori Niko Kanxheri tregon punën që ka bërë me rolin e tij. “Kur m’u ofrua ky rol isha i trembur si një fëmijë, sepse u bënë vite që nuk luaj në skenë, frikë nëse do të jem në gjendje apo jo. Ky rol ishte roli i një njeriu pa këmbë, por që koka i funksionon mirë, dhe thashë okej ky rol duhet mbrojtur”, tregon aktori Niko Kanxheri. Vepra teatrore “12 burra të zemëruar” do të vijojë dhe net të tjera për publikun në Teatrin Kombëtar. Skenografia Genc Shkodra, kostumografia Laedia Hajdari, kompozitor Endri Sina, përkthyes i veprës Artur Lena, dizajn grafik Klea Mani.