Shefi i ODIHR-it takim me Bylykbashin, në fokus zhvillimet e fushatës zgjedhore

Ambasadori Lamberto Zannier, shefi i misionit vëzhgues të zgjedhjeve i ODIHR zhvilloi një takim në selinë e degës së Partisë Demokratike në Durrës. Ai shprehu interes për zhvillimet e fushatës zgjedhore dhe problematikat e saj në Durrës.
Oerd Bylykbashi, udhëheqësi politik i qarkut të Durrësit, ka ndarë detaje nga takimi në Facebook.
“Përdorimi masiv i shtetit në favor të PS, përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje dhe mbështetja e tij për përfshirjen e kandidatëve të caktuar në listën e PS, koordinimi mes PS dhe organizatave kriminale përmes individësh të caktuar nga kryeminstri, presionet mbi zgjedhësit dhe shitblerja e votës etj, iu parashtruan me fakte konkrete shefit te misionit të ODIHR”, shkruan Bylykbashi në Facebook.

“Asfalti elektoral, punësimet, dhënia e titujve të pronësisë në shkëmbim të votave, përdorimi shkollave, i ndërmarrjeve të shërbimit publik qendrore apo të bashkive si OSHEE dhe ujësjellës, etj, u faktuan konkretisht”, vijon Bylykbashi.
Gjithashtu, Bylykbashi thotë se SPAK dhe Prokuroria nuk po veprojnë pavarësisht denoncimeve.
“Informuam për denoncimet konkrete por pandëshkueshmëria që prodhon mosveprimi i përsëritur i SPAK dhe prokurorisë si dhe roli aktiv i policisë në mbështetje të veprimeve të paligjëshme nga eksponentë të PS dhe të krimit kanë sjellë si rezultat që persona të dënuar me heqje lirie apo në kërkim, të jenë aktivë në terren në favor të PS nën mbrojtjen e mosveprimit të qëllimshëm të organeve ligjzbatuese.
Në cilësinë e nënkryetarit te PD theksova se mosshtyrja e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit për shtetasit që votojnë në Shqipëri u shtrua si problem madhor në shkallë vendi duke rrezikuar që disa qindramijëra zgjedhës të pengohen për të votuar.
Përfaqësuesve të ODIHR iu referuan zonat e nxehta duke kërkuar vëzhgim të shtuar dhe kërkuam që KQZ dhe task forca e krijuar të veprojnë për të siguruar votim të qetë pa trysninë e patronazhistëve dhe kriminelëve të lidhur me PS pranë qendrave të votimit”, përfundon Bylykbashi.