Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Partia Socialiste doli fituese me 83 mandate, ndërsa Partia Demokratike pësoi një disfatë të thellë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Kara thekson se ky rezultat ishte një votë ndëshkuese ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, si simbol i një politike të korruptuar dhe të konsumuar. Ai parashikon se Berisha do të përballet me ndëshkime të rënda ligjore, që mund të jenë ndër më të rëndat në historinë e vendit. Ndërkohë juristi Kara thekson se nëse Berisha largohet nga drejtimi i PD-së, do të ketë një revolucion të brendshëm që mund të rilindë opozitën. Sipas tij, është koha për një alternativë të re politike, të bazuar mbi drejtësinë, moralin dhe shërbimin qytetar. Nga ana tjetër ai bën thirrje për reforma të thella kushtetuese, largim të elitave të korruptuara dhe ndërtimin e një sistemi politik që i jep zë qytetarit dhe jo pushtetarëve.
-Zoti Kara, në zgjedhjet e 11 majit që u mbajtën, PS doli fituese, duke marrë 83 mandate, ndërsa PD me aleatët, jo vetëm që kanë humbur thellë, por Sali Berisha fundosi përfundimisht opozitën e mbetur deri më tani me 50 mandate nga 63 në total në 2021. Sipas jush, humbja e PD-së ishte një votë pro Partisë Socialiste, apo një votë kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës?
Pa diskutim që ishte një votë kundër PD-së, kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës, kundër riciklimit të ish-pushtetarëve të korruptuar, kundër politikave të vjetra agresive, kundër bashkëpunuesve me qarqet shoviniste greke, kundër hipokrizisë dhe pengmarrësve të opozitës. Nuk kemi shtim votash për PS, pa llogaritur diasporën, por një pakësim drastik votash për PD. Pikërisht ky fakt vërteton më së miri konstatimin tim se kjo ishte më tepër një votë kundër PD-së dhe sidomos kundër Sali Berishës.
-A mendoni se Sali Berisha duhet të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike për t’i hapur rrugë një fryme të re në opozitë?
Pa dyshim që po. Nëse PD dëshiron të ringrihet, ajo duhet ta shohë realitetin në sy, të largojë zgjedhën e Berishës apo t’i largohet atij, të largojë çdo ish-pushtetar të korruptuar, të instalojë meritokracinë brenda saj, të përqafojë vlerat europiane dhe demokracinë e vërtetë, dhe të përballet pa kompromis, ashtu siç i takon një alternative qeverisëse. Sidoqoftë, mendoj se tashmë ka ardhur koha që në skenë të dalë një forcë e re politike, që synon të sfidojë establishmentin dhe të promovojë drejtësinë dhe parimet, duke përdorur shembullin personal si udhëzues. Një alternativë politike e bazuar në parimet konservatore dhe demokratike, që synon një platformë ku bashkohen thelbi i shpirtit me drejtësinë, dy elementë bazë për të udhëhequr njerëzit drejt një qëllimi më të lartë dhe që e sheh shtetin sipas konceptit perëndimor dhe hyjnor: si një mjet për drejtësi, rend dhe dinjitet njerëzor, jo për pasurim dhe dominim. Ne kemi nevojë për një model të ri, i cili duhet të integrojë fuqimisht tri shtylla themelore:
Përgjegjësinë personale: çdo zyrtar jep llogari për pasojat e veprimeve të tij.
Etikën publike: shteti nuk është neutral ndaj moralit – ai ka vlera.
Shërbimin si nder: politika nuk është profesion, por mision.
Na duhen ndryshime kushtetuese, reformë e thellë e kodit zgjedhor, ringritja e një administrate në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve, rishpërndarje e pasurisë për të luftuar varfërinë, mbështetje për biznesin e vogël dhe të mesëm, krijim i një tregu të lirë larg oligarkisë ekonomiko-politike, pastrimi i policisë, administratës dhe drejtësisë, etj. Gjithashtu, nevojitet një përfshirje më e drejtpërdrejtë e popullit në vendimmarrje, përmes demokracisë direkte dhe referendumeve. Pra, praktikisht, ajo që na duhet është diçka që nuk mund të realizohet nga PS dhe PD së bashku. Le të shohim përpara dhe të kërkojmë zgjidhje jashtë atyre që e shkaktuan këtë situatë.
-Çfarë e pret Sali Berishën politikisht dhe ligjërisht, duke qenë se është “non grata” nga SHBA dhe aktualisht përballet me dosje në SPAK?
Nëse drejtësia do të funksionojë, padyshim që atë e presin ndëshkime të shumta dhe të rënda ligjore, ndëshkime mbase të paprecedenta deri më tani në Shqipëri, pasi realisht krimet e tij kanë qenë të paprecedenta. Le të shpresojmë që t’ia arrijmë kësaj dite, kur njerëzit të shohin fundin e merituar të një sunduesi të urryer si ai.
Intervistoi: Rigels Seliman
