‘Rama po kopjon programin e PD’, Kedhi: Ne nuk ofrojmë propozime në ajër

Nikola Kedhi, anëtar i sekretariatit të Partisë Demokratike për marrëdhëniet me jashtë, u shpreh gjatë një interviste se opozita shqiptare ka një vizion të qartë dhe një alternativë të fortë për zhvillimin e vendit. Ai theksoi se Partia Demokratike ofron një program të bazuar në vlera dhe parime të forta, që i përgjigjen interesave të qytetarëve shqiptarë, në krahasim me propozimet e Kryeministrit Rama, të cilat ai i konsideron të paqarta dhe të paqëndrueshme.
Kedhi kritikoi Kryeministrin për kopjimin e propozimeve nga programi i PD-së, duke theksuar se, megjithatë, Rama nuk mund të përvetësojë vizionin dhe botëkuptimin e PD-së. Ai nënvizoi se PD ofron një alternativë që është në harmoni me dëshirat dhe nevojat e qytetarëve, siç janë mbështetje për familjet, taksat e ulëta, dhe marrëdhëniet e forta me Kosovën.
Për Kedhin, kjo alternativë është më shumë se thjesht një set propozimesh, është një vizion i vërtetë dhe i mbështetur në parime të caktuara, që i dallon të djathtën nga e majta në Shqipëri.
Nikola Kedhi:
Unë dje ndërkohë që dëgjoja disa nga propozimet e Kryeministrit, nuk isha se u shokova, por i mora me njëfarë hilariteti. Mund të kopjosh programin dhe propozimet, por Kryeministri harron se PD, zoti Berisha, nuk ofron thjesht një program dhe disa propozime në ajër. PD ofron një vizion, ofron një alternativë, ofron një botëkuptim. Mund t’i marrësh propozimet specifike, por jo botëkuptimin e PD, vlerat që qëndrojnë pas tyre.
Disa nga këto propozime janë vjedhur, huazuar nga Kryeministri, duke qenë se vetë ai nuk ka një botëkuptim, nuk ka një vizion të mbështetur në disa parime dhe vlera të caktuara. Për këtë arsye, ai mundohet të përsërisë propozimet e PD, por ai nuk merr dot thelbin e programit të PD-së dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse kjo krijon diferencën mes të djathtës dhe të majtës në Shqipëri.
Një element shumë i rëndësishëm është se për herë të parë, pas shumë kohësh, një parti politike, një aleancë, ofron një vizion në përputhje të plotë me atë që duan shqiptarët. Shqiptarët janë pro familjes, pro taksave të ulëta, pro burokracisë dhe pro zvogëlimit të presionit të kësaj burokracie, pro marrëdhënieve me Kosovën… Ky është vizioni i PD dhe për këtë arsye është krijuar një sinergji mes kësaj alternative që ofron PD dhe qytetarëve shqiptarë. Mund të ketë parti të tjera që kopjojnë, por do të marrin thjesht këto propozime pa thelbin dhe shpirtin e këtij vizioni që ofron PD.