Gjatë vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Edi Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, një nderim shumë i posaçëm për personalitete të nivelit më të lartë, sic janë Barack Obama, Angela Merkel, Elie Wiesel, Henry Kissinger, Joe Biden, të cilët janë nderuar më parë me këtë medalje.
Kryeministrit Rama iu dorëzua Medalja e Nderit në një ceremoni të posaçme, organizuar në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem, ku ai ishte i ftuar me bashkëshorten e tij, Linda Rama dhe delegacionin shqiptar që e shoqëron në këtë vizitë.Lexo edhe :Related Posts
Pas marrjes së Medaljes, Kryeministri Rama u shpreh se e konsideron atë, si nderimin e duhur për shembullin që shqiptarët i lanë botës, duke mos dorëzuar asnjë hebre të vetëm tek nazistët, si edhe për faktin domethënës se në Shqipëri s’ka vend për asnjë formë të urrejtjes fetare apo etnike, përfshirë edhe antisemitizmin.
Rama theksoi se Shqipëria qëndron krah Izraelit, në konfliktin me Hamasin dhe tha se janë pro zgjidhjes me dy shtete, por me Hamasin, të cilët i konsideroi si nazistë, tha se nuk mund të ketë kompromis.
Rama: Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia juaj e dytë dhe ju do të jeni gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri. Ne qëndrojmë pranë Izraelit në këtë moment të vështirë dhe të dhimbshëm ku ende ka njerëz në bodrumet e Hamasit, Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tonë nuk ka zgjidhje me Hamasin aty. Ndryshe nga sa janë përpjekur të tjerët të thonë Hamasi janë nazistët e shekullit të ri. Dhe historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, nuk ka kompromis. Pres me padurim të shoh paqen! Mbetem mirënjohës për këtë mioment të jetës sime, që jam i sigurt se nuk e meritoj si person, por të gjithë shqiptarët që kanë bërë diçka për hebrejtë e meritonin këtë moment./vizionplus.tv
