PS nuk gjen qetësi, thellohet “lufta” mes kandidatëve për mandate, futet në lojë Rama për të “shtypur…

Partia Socialiste duket se po përballet me një sfidë të madhe, pasi gara për mandatin e deputetit sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 11 majit është përshkallëzuar në një luftë të ashpër mes kandidatëve. Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ku fituesi i një mandati mund të jetë vetëm kandidati më i votuar në listat e hapura, tensionet janë rritur ndjeshëm së fundmi.
Kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të vendosur rend, duke i dhënë kandidatëve një ultimatum të qartë: ata nuk mund të përdorin strukturat e PS për të mbledhur vota jashtë zonës së tyre zgjedhore. Rama ka theksuar se për PS-në është më e rëndësishme fitorja e partisë sesa e individëve, dhe se çdo kandidat duhet të respektojë kufizimet e vendosura për të ruajtur ekuilibrin e garës. Por e gjithë kjo tregon, se situata po bëhet gjithnjë e më delikate dhe tensionet mes kandidatëve mund të shpërthejnë, duke rrezikuar stabilitetin e fushatës socialiste.
Kryesocialisti iu tregon vijat e kuqe kandidatët për deputetët të PS
Konkretisht ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor i kanë vështirësuar punët për kandidatët që ndodhen në listat e hapura, pasi e vetmja mundësi për të marrë një mandat deputeti është nëse del më i votuari në listat e hapura. Kjo mesa duket ka bërë që brenda Partisë Socialiste në Tiranë të nisë një “luftë” brenda llojit, ku të gjithë kanë të njëjtin synim, fitoren e një mandati deputeti. Por kjo “luftë” duket se po e shqetëson kryeministrin Edi Rama, pasi gara në terren për të kapur çdo votë nominale ka filluar të bëhet e ashpër, duke ndikuar edhe strukturat e partisë. Kufizimi i zonave ku mund të bësh fushatë, e vështirëson punën e kandidatëve për të maksimalizuar votat e tyre, kjo ka bërë që shumë prej tyre të dalin edhe në zonat elektorale të kolegëve për të mbledhur vota për emrin e tyre.
Ndodhur në këto kushte “përplasjesh” mes të tijve, Rama është detyruar t’u tregojë vijat e kuqe kandidatëve. Ai mësohet se u ka dërguar porosi socialistëve që asnjë kandidat, qoftë edhe deputet aktual, nuk duhet të përdorë strukturat e PS të një zonë tjetër për të mbledhur vota personale. “Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra te veta jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën. Struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitje e çdo deputeti”, mësohet të ketë thënë Rama në një mesazh në “Whatsapp”.
Mesazhi për kandidatët për deputet në listën e mbyllur
Për Edi Ramën Partia Socialiste është më e rëndësishme se çdo deputet, për këtë arsye ua ka ndaluar të majtëve që miqësitë ndërmjet tyre të përkthehen në vota preferenciale për kolegët që kryetari i ka hedhur në betejë të hapur. “Deputetët në listë të mbyllur nuk duhet kategorikisht të kërkojnë vota për asnjë deputet në listën e hapur, po vetëm për numrin 5. Të gjithëve duhet t‘u thonë tek vota preferenciale jeni të lirë! Po ashtu deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë, e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën”, mësohet të ketë thënë kreu i PS-së.
Por me këtë direktivë, një kandidat i PS, të cilit i është caktuar njësia 3 si zonë elektorale, nuk mund të kërkojë ndihëm e degës së PS në njësinë 5 për ta mbështetur me votë në 11 maji. Por dëshira për tu bërë deputet është shumë e madhe për disa në listat e hapura dhe mund të ndodhë që ndonjëri të mos i bindet “ligjeve” të “Bablokut” dhe të shkaktojë zemërim mes socialistëve, duke i prishur shumë punë PS-së në Tiranë. Me afrimin e datës së zgjedhjeve situata mund të nxehet pasi dikujt mund të mos i dalin llogaritë, duke e bërë kështu PS-së deri më datë 11 maj si “bombë me sahat”, sa i aftë do të jetë Rama t’i mbajë të nënshtruar deri datën e zgjedhjeve mbetet për t’u parë.