Plas në PS e Qarkut Korçës, kryetari i Bashkisë së Pogradecit “përplaset” me Niko Peleshin për kandidatët për…

Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 11 majit po afrojnë, Partia Socialiste duket se nuk po gjen qetësi, ku këtë herë vëmendja ka shkuar në Juglindje. Mësohet se përplasjet e brendshme kanë arritur kulmin në Qarkun e Korçës, ku drejtuesi politik i PS, Niko Peleshi dhe kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, janë përfshirë në një betejë të ashpër për emrat në listën e kandidatëve për deputetë. Peleshi akuzohet se ka mbushur listën me emra anonimë për të siguruar fitoren e mikut të tij të vjetër, Ilir Pendavinji, një manovër që ka ndezur revoltën në kampin socialist. Por kryebashkiaku Xhakolli nuk ka qëndruar duarkryq dhe i ka dhënë një paralajmërim të prerë Peleshit, teksa mësohet se i ka kërkuar të mos kërojë vota në Pogradec.
I zënë ngushtë, mësohet se Peleshi është tërhequr nga territori i Xhakollit, por në prapaskenë po ushtron presion mbi kandidatët e tjerë për të mbledhur vota për Pendavinjin. Burime të brendshme tregojnë se strukturat socialiste janë të përçara, me disa që mbështesin Xhakollin dhe të tjerë që i binden Peleshit. Megjithatë situata është bërë eksplozive, ndërsa intrigat, lëvizjet nën rrogoz dhe përplasjet e interesave po e tronditin PS-në e Korçës. Pra lufta për pushtet brenda partisë ka shpërthyer në një betejë të hapur, duke kërcënuar stabilitetin politik në qark dhe duke futur socialistët në një krizë të thellë. Sidoqoftë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Detajet
Por ndërkohë sa i takon këtij sherri ka reaguar edhe dega e Partisë Demorkatike Korçë, duke e cilësuar situatën si një shembull të qartë të arrogancës dhe pazareve politike. Sipas PD, përplasjet mes Nikos Peleshit dhe Ilir Xhakollit tregojnë se socialistët nuk po luftojnë për interesat e qytetarëve, por për pushtetin personal dhe mbrojtjen e klaneve të tyre. Demokratët theksojnë se kjo kaos i brendshëm është një tregues i degradimit të PS-së dhe një tjetër provë se qytetarët e Korçës meritojnë një alternativë të re dhe të pastër politike. “Partia Socialiste e Korçës prej ditësh është përfshirë në debate të forta për emrat e listës së hapur të kandidatëve për deputetë, të cilën Niko Peleshi e mbushi me emra anonimë, që të nxjerrë me vota maksimale shokun e idealeve të rinisë dhe jo vetëm, Ilir Pendavinjin.
Duket qartë që gara do jetë e fortë mes Bledi Çomos në Pogradec dhe Ilir Pendavinjit në Korçë, për të cilin Niko Peleshi po i vë zjarrin strukturave të PS. Mësohet se kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, i cili mbështet Bledi Çomon, i ka vënë kufirin te thana Peleshit, duke i kërkuar të mos e kalojë Qafë Plloçën dhe të mos guxojë t’i afrohet Pogradecit për vota. I zënë ngushtë, Peleshi ka pranuar të tërhiqet nga Pogradeci, duke luajtur me emrat e tjerë të listës, të cilët kanë për detyrë të marrin më pak vota se Pendavinji. Mësohet se kandidatët e Korçës janë vënë nën presion nga Peleshi, për të mbledhur vota për Pendavinjin, deputetin që nuk i duhet as PS, as Korçës, madje, as dreqit”, shkruan dega e PD Korçë në rrjetet sociale.
Korça nuk gjen qetësi
Nga ana tjetër, ky sherr nuk është i vetmi, pasi edhe pak ditë më parë në Korçë ka pasur përplasje mes socialistëve, ku prefekti Nertil Jole u përplas me ish-deputetin Ardit Konomi. Zoti Nertil Jole, pasi nuk e pa emrin në listën e kandidatëve, nuk nguroi që të reagonte menjëherë në rrjetet sociale, ku indirekt përcillte mesazhin se atë e donin qytetarët për deputet, por nuk e donte partia, pra drejtuesi politik i PS, Niko Peleshi. Por ky reagim i Nertil Joles nuk ka sjellë asnjë reagim nga kampi i Niko Peleshit, por nga Ardit Konomi. Ky i fundit, statusin e prefektit të Qarkut, e ka konsideruar si një “qurravitje”, teksa më tej, indirekt me pyetje retorike, thotë se Nertil Jole nuk ka bërë asgjë për Korçën dhe për të qenë deputet nuk mjafton vetëm të jesh djalë i mirë.
Në postimin e tij më tej, Ardit Konomi e mbështet Niko Peleshin për faktin se e ka lënë Nertil Jolen jashtë liste, por nuk lë “mangët” as akuzat ndaj numrit 1 të PS-së në Korçë, duke e konsideruar si problemin më të madh të qytetit dhe thekson se ai për vete do të vazhdojë ta “luftojë”. Mirëpo postimit të Ardit Konomit i është përgjigjur Nertil Jole, i cili i kërkon që të tërheqë fjalën “qurravitje”, pasi sipas tij, i ka keqkuptuar statusin. Madje Jole e konsideroi si një tendecë të Ardit Konomit, postimin e këtij të fundit, për ta tërhequr në një debat të stisur, dhe sipas tij, statusi ka qenë i mirëmenduar nga ana e ish-deputetit, pavarësisht se e konsideron si “të nxituar”. Pavarësisht raporteve jo të mira me Peleshin, ai thotë se do të vazhdojë të punojë për fitoren e PS-së në zgjedhjet e 11 Majit, ndryshe nga Ardit Konomi.