Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi se nuk është antigrek apo antiminoritar, por Çështjen Çame nuk mund ta lërë jashtë Parlamentit dhe vëmendjes politike. Ai theksoi se kundërshtitë e tij ndaj Vangjel Dules dhe Fredi Belerit lidhen me qëndrimet e tyre kundër kësaj çështjeje dhe jo me të drejtat e minoriteteve.
I ftuar në një emision televiziv, Idrizi sqaroi edhe aleancën e PDIU-së me PD-në në zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se nuk kishte dijeni për përfshirjen e 25 partive të tjera në koalicion. Ai kritikoi kandidimin e Fredi Belerit për Bashkinë e Himarës dhe e cilësoi një gabim të madh nga PD.
Sipas tij, PDIU ka qenë në vijën e parë të mbrojtjes së Çështjes Çame, duke ndikuar që Parlamenti shqiptar t’i kërkojë Greqisë heqjen e Ligjit të Luftës pas tetë dekadash. Idrizi u shpreh se PDIU nuk është kundër minoriteteve, por kundër çdo figure që mohon të drejtat e çamëve dhe promovon nacionalizmin grek.
“Çështjen Çame nuk e lëmë jashtë Parlamentit. Në këtë kuadër është edhe projekti dhe aktiviteti politik i PDIU-së ndër vite, mund ta verifikoni edhe në legjislaturat e kaluara aleancat apo koalicionet tona. Unë kam firmosur me Berishën dhe PD, nuk e kam ditur se me sa parti do bënte koalicion, nëse ka vendosur 25 parti të tjera do të thotë se u mendua të përfshiheshin edhe ato. Unë nuk kam probleme me minoritetin, unë nuk jam antigrek, por unë problemin e kam me Vangjel Dulen dhe Fredi Belerin, sa herë nuk pranojnë çështjen Çame apo lidhjet me qarqet e lobet nacionaliste greke.
PD bëri gabim të madh që vendosi Fredi Belerin në Himarë. Një njeri i dënuar për pushtimin e territorit shqiptar, i akuzuar për masakrën e Peshkëpisë, apo që thotë jeni nga Kaukazi, jeni helenë, unë do të jem kundër atij dhe çdo qëndrimi të tillë. E kam thënë dhe e them përsëri. Dulja nuk duhet të jetë i papranueshëm vetëm për mua, por edhe për PD dhe PS. Po kështu edhe Beleri. Ne nuk mund të heshtim për Çështjen Çame. Ne i respektojmë minoritetet. Por u desh kërkesa jonë që të detyronte PD dhe PS për t’i kërkuar pas tetë dekadash Greqisë heqjen e Ligjit të Luftës. Ne nuk jemi antigrekë! Ne duam të zgjidhim çështjen çame”, tha Idrizi.
‘PD, gabim të madh që kandidoi Belerin në Himarë’, Idrizi: Ne nuk jemi anti-grekë, por duam të zgjidhim ‘Çështjen Çame’
