Pas zgjedhjeve telashe për Sali Berishën, ja dosjet stivë në SPAK që do të vulosin fatin e tij, nga afera…

Elmas Bogdani
Kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, dikur figura më e pushtetshme e tranzicionit shqiptar dhe “kalorës” i vetëshpallur i demokracisë, ndodhet sot në një nga momentet më të errëta dhe të rënda të karrierës dhe jetës së tij politike. Pas disfatës spektakolare që pësoi në zgjedhjet e 11 majit, ish-kryeministri pritet të përballet me një valë të re goditjesh nga drejtësia. Në zyrat e Prokurorisë së Posaçme janë stivuar tashmë disa dosje voluminoze, që e vendosin Berishën dhe familjen e tij në epiqendrën e akuzave më të rënda të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin në historinë e pluralizmit shqiptar. Hetimet përfshijnë një spektër të gjerë: nga aferat e pronave dhe pastrimit të parave, te korrupsioni i lartë shtetëror, nga përgjegjësia politike për vrasjet e bulevardit më 21 janar, te dosjet e vjetra të vrasjeve në Tropojë, si dhe tragjedia e Gërdecit që i mori jetën 26 personave, por edhe pazaret e pista me serbët. Gazeta “SOT” ka mësuar gjithashtu që në SPAK ditët në vijim pritet të dorëzohet edhe një kallëzim tjetër penal për implikimin e Sali Berishës në vdekjen e dyshimtë të Kosta Trebickës.
Afera “Partizani” dhe akuza e parë e drejtpërdrejtë
Më 19 maj pritet një nga momentet kyçe në përballjen e Berishës me drejtësinë. Gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë nëse dosja për aferën e njohur si “Partizani” do të kalojë për gjykim, me të pandehur Berishën, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë. Kjo do të jetë përballja e parë formale për Berishën si i akuzuar për korrupsion, ndërkohë që për momentin ndodhet nën masën “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi vijon të hetohet në arrest shtëpie. Dosja voluminoze prej 500 faqesh detajon një seri pagesash të dyshimta dhe përfitimesh nga privatizimi i truallit të ish-klubit Partizani, në të cilin janë ndërtuar 19 kulla nga Malltezi, së bashku me kushëririn e tij dhe një ndërtues të njohur. Pagesa në miliona euro, përfshirë transferta në fondacionin e Liri Berishës, shuma për avokatë jashtë vendit dhe kontrata me kompani të lidhura me familjen Berisha janë vetëm një pjesë e asaj që SPAK e përshkruan si një strukturë të mirorganizuar për pastrim parash. SPAK shpreh qartë se Malltezi dhe bashkëshortja e tij Argita kanë shërbyer si “llogaria bankare” e Berishës, duke kanalizuar shumat e dyshimta në emër të tyre për të ruajtur imazhin publik të ish-kryeministrit si njeri i ndershëm. Në dokumentacionin e dorëzuar në gjykatë, SPAK pretendon se vetëm përmes kësaj afere janë arkëtuar mbi 4.6 milionë euro në dividentë, përfitime nga shitja e njësive tregtare dhe kontrata fiktive.
Dosja e 21 Janarit dhe krimet e vjetra në Tropojë
Përveç çështjeve ekonomike, Berisha përballet edhe me hetime për ngjarje tragjike që kanë tronditur opinionin publik. Mes tyre spikat masakra e 21 Janarit 2011, kur katër qytetarë u vranë në Bulevard nga Garda e Republikës. Deri më sot, drejtësia nuk ka arritur të identifikojë përgjegjësinë politike, por tani SPAK ka rimarrë dosjen dhe po heton që prej 2024 rolin e Berishës si urdhërues i heshtur i dhunës shtetërore. Po ashtu, janë rihapur edhe hetimet për një seri vrasjesh politike të ndodhura në Tropojë gjatë viteve ’90, ku familja Haklaj ka dorëzuar kallëzime të reja penale ndaj Berishës. Dëshmitë e Aishe, Shote dhe Vjollca Haklaj, të shoqëruara me orë të tëra deklarimesh dhe prova të dokumentuara, përshkruajnë një strukturë kriminale të ndërtuar nën patronazhin e shtetit të asaj kohe, ku krimi dhe politika ishin bërë një.
Aferat me biznesmenët serbë dhe Porto Romano
Një tjetër dosje e ndjeshme për Berishën ka të bëjë me marrëdhëniet e tij me biznesmenë serbë si Damir Fazlliç dhe Vojin Lazareviç. SPAK po heton një skemë të dyshuar për pastrim parash ku përmes VKM-ve të miratuara nga qeveria Berisha, janë favorizuar kompani të lidhura me interesat e familjes së tij. Veçanërisht spikat vendimi për zgjerimin e Parkut Energjitik të Porto Romanos, i cili përfshiu brenda perimetrit toka të blera më herët nga Malltezi dhe më pas të shitura me vlerë të shumëfishuar tek biznesmenët serbë. SPAK ka regjistruar prova për pagesa direkte ndaj familjarëve të Berishës si pjesë e këtij skenari.
Dosja “Gërdeci” dhe hetimi ndaj Shkëlzenit
Një dosje tjetër ku drejtësia ka intensifikuar hetimet është ajo e Gërdecit. Pas shpërthimit tragjik që mori 26 jetë në vitin 2008, SPAK po heton rolin e tij dhe Shkëlzen Berishës në ndërmjetësimin e kontratave të dyshimta dhe lidhjet e tij me biznesmenët që përfitonin nga demontimi i armëve. Hetimet janë zgjeruar, dhe burime të besueshme konfirmojnë se bashkëpunimi me autoritetet amerikane ka dhënë të dhëna të reja që e rëndojnë pozicionin e familjes së tij.
Futja në lojë e SHBA
Në gjithë këtë vorbull akuzash dhe hetimesh, një faktor i rëndësishëm mbetet edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me shpalljen “non grata” nga Departamenti i Shtetit, Berisha u shndërrua në një simbol të korrupsionit politik në Shqipëri. Por duket se SHBA nuk po mjaftohet vetëm me këtë. Ata po ndjekin me vëmendje ecurinë e drejtësisë shqiptare dhe ka të ngjarë që presioni ndërkombëtar të luajë një rol vendimtar në epilogun e kësaj historie. Kjo u pa dhe në raportin e fundit të DASH, të cilët vlerësuan SPAK për akuzat që i bënë Sali Berishës. Ata e morën si shembull kreun e PD për pastrimin e parave. Gjithashtu, SPAK ka treguar se po bashkëpunon ngushtë me amerikanët për dosjet e hapura për familjen Berisha. Një nga ato është Gërdeci, ku djali i tij, Shkëlzeni, është një nga personat kyç që po hetohet. Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.