“O egoist”- Lapaj “shpërthen” ndaj Shabanit: More më pak se 3 mijë vota, ja pse s’të takon ty mandati

Kryetari i lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të Nismës Thurje, Endri Shabanit, duke e quajtur atë egoist.
Në një konferencë për mediat, Lapaj tha se Shabani mori në total më pak se 3 mijë vota dhe Nisma Thurje në total rreth 10 mijë vota. Kjo sipas tij është arsyeja pse mandati i takon kandidatit apo kandidates më të votuar të lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’.
Ai shtoi se marrëveshja me Nismën Thurje nuk është thjesht për një mandat, por për të mbajtur fjalën e dhënë dhe për të përmbushur një angazhim publik me qytetarët, për t’i dhënë jetë listave të hapura.
“Pse nuk mund t’ja dorëzoj mandatin Endri Shabanit? Së pari, sepse ai përfaqëson një subjekt tjetër politik. Nuk kam të drejtë ligjore që t’i dhurojë mandat një partie tjetër. Koalicioni ka qenë një bashkim për zgjedhje dhe çdo parti ruan individualitetin juridik dhe politik. E dyta, sepse ai nuk është më i votuari.
Zoti Shabani mori vetëm 2966 vota. Pra mandati është fituar përtej votave të Nismës Thurje dhe i takon listës së hapur të ‘Shqipëria Bëhet’. Mandati është marrë me votat e lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’. Gjithësesi e theksoj se kjo nuk është një marrëveshje për një mandat, por një betejë për të mbajtur një fjalë të dhënë, për të respektuar një marrëveshje politike dhe për të përmbushur një angazhim publik të bërë me qytetarët, për t’i dhënë jetë listave të hapura.
Ne nuk kërkuam votën për t’u bërë pjesë e të vjetrës. Unë e kam mbajtur fjalën e dhënë, por jam penduar nga qëndrimi egoist i zotit Shabani”, tha mes të tjerash Lapaj.