Kryeministri dhe njëkohësisht kryesocialisti Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë takimin me qytetarët në Fier.
Rama tha në fjalën e tij se transformimi i Shqipërisë në këto vite qeverisje nuk është vetëm infrastrukturor.
Ai theksoi se në këto vite i është dhënë dinjitet flamurit kuqezi. Kreu i PS-së nënvizoi se tashmë nuk kemi më zor të themi ‘jam shqiptar’.
Rama: Dhe ashtu sikundër ne e kthyem Gjanicën nga një plagë në një vlerë dhe në një kartolinë krenarie për këtë qytet ashtu ne e kthyem të gjithë organizmin të Shqipërisë nga një plagë e hapur në një emër që na bën krenarë kudo ku shkojmë nëpër botë. Nuk e ulim më kokën nuk kemi më zor të themi jam shqiptar, nuk kemi më asnjë vështirësi përkundrazi jemi të kënaqur të tregojmë për vendin tonë.
Gjithmonë e më shumë njerëz vijnë në vendin tonë, duan të dinë për vendin tonë. Në këto vite, ne kemi bërë shumë gjëra, por gjëja e gjërave ka qenë dinjiteti që I kemi dhënë flamurit kuq e zi që deri dje e valëvisnin me krenari vetëm në stadium po nuk e shihnim gjëkundi të qëndronte mes flamujve të tjerë si i barabartë. Ky flamur ishte flamuri që udhëhoqi tryeza të mëdha ndërkombëtare.
