Nis zbatimi i masave të reja/ BSH kufizon kreditë për shtëpi dhe shtrëngon kushtet e shlyerjes

Qytetarët që duan të marin kredi për të blerë banesë tashmë do të jenë më të kufizuar .Vendimi i Bankës së Shqipërisë ka nisur zbatimin dhe parashikon që bankat të mos japin kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpinë e parë më shumë se 85% e vlerës së saj ndërsa ata që kërkojnë kredi për të blerë një shtëpi të dytë vlera e kredisë që do mund të marrin kur është në monedhën lekë do të jetë 80% e vlerës së pronës.
Në valutë të huaj tavani është edhe më i vogël për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit. Banka do të mbulojë me kredi 75% të vlerës së shtëpisë së parë dhe 70% të vlerës për shtëpinë e dytë.Tashmë bankat janë të detyruara që për çdo kredimarrës të bëjnë një analizë të mirfilltë të ardhurave apo borxheve për përcaktimin e vlerës së borxhit të kredimmarrësit.
Afati maksimal për shlyerjen e kredisë do të jetë deri në 30 vjet, ose do të caktohet një afat tjetër nga banka duke marrë në konsideratë moshën e kredimarrrësit, me qëllim që të mos ketë kredi për të shlyer në moshën e pensionit. Për huanë e marrë në lekë kësti i kredisë nuk duhet të jetë më shumë se 40% e vlerës së të ardhurave që ka qytetari.
Ky vendim i bankës së Shqipërisë do të rishqyrtohet jo më vonë se 2 vjet nga data e hyrjes së tij në fuqi.
Sipas Bankës së Shqipërisë zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme.