Nën hetim nga SPAK, KLP largon nga detyra kreun e Prokurorisë së Sarandës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka larguar nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Sarandës. Kledian Llaho ndërkohë ishte pezulluar nga detyra me vendim te GJKKO dhe kërkesë të SPAK, i cili ka nisur hetim ndaj tij mbi dyshimet për korrupsion.
Sipas SPAK, magjistrati ka kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij. Gjithashtu, ka dyshime për veprime të kundërligjshme edhe në raport me persona të tjerë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj magjistratit K.Ll., duke caktuar masën “Ulje page në masën 20% për 3 muaj”, përkundër propozimit të ILD për “Ulje page në masën 40% për 1 vit”, ndërsa ka pranuar plotësisht propozimin e ILD për masën “Largimi nga detyra e kryetarit”.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin disiplinor ndaj magjistratit Ll., në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bazuar në 6 ankesa të një prokuroreje në të njëjtin institucion, për veprime e sjellje, që përbëjnë shkelje disiplinore nga ana e drejtuesit Ll.