Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një vizitë në laboratorët kërkimorë të ngritur në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT). Gjatë vizitës në Laboratorin Kërkimor Shkencor për Projektimin, Prototipizimin dhe Testimin e Bordeve të Qarqeve Elektrike dhe Sistemeve të Antenave të Printuara, Ministrja Manastirliu vlerësoi rëndësinë e investimit për zhvillimin e kapaciteteve teknologjike dhe kërkimore në fushën e inxhinierisë elektronike dhe telekomunikacionit.
“Këto laboratorë, me pajisje që janë fjala e fundit e teknologjisë dhe sigurisht rrjeti i të gjithë kompjuterave që janë kompjutera të teknologjisë së avancuar, u japin mundësi studenteve të mësojnë me këto mjete bashkëkohore dhe të punojnë në drejtim të perfeksionimit të mësimdhënies nga pedagogët e këtij departamenti. Kemi investuar edhe në laboratorin e inteligjencës artificiale, që është një laborator i fjalës së fundit të teknologjisë.”, tha Ministrja Manastirliu.
Qëllimi është fuqizimi i infrastrukturës laboratorike për stafin dhe studentët, si dhe nxitja e kërkimit dhe inovacionit në ndërtimin e sistemeve elektronike dhe të teknologjisë së informacionit. “E rëndësishme është që këto pajisje të cilat vijnë në laboratorët tanë jo vetëm që ngrenë standardin në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor brenda universitetit por rrisin mundësinë që me akreditimin e laboratorëve të tillë të ofrohen shërbime dhe për të tretë dhe të bashkëpunohet më shumë me biznesin.”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu vizitoi gjithashtu Laboratorin e Inteligjencës Artificiale, një tjetër investim i rëndësishëm. Projekti ka për qëllim krijimin e një infrastrukture moderne për zhvillimin e kërkimeve shkencore në fushat e inteligjencës artificiale, përpunimit të të dhënave, analizës së imazheve dhe objekteve 3D, përpunimit të gjuhës natyrale, me fokus të veçantë në gjuhën shqipe dhe aplikimeve të tjera inovative.
“Ne synojmë të zgjerohemi përmes ndërkombëtarizimit”/ Ministrja Manastirliu, vizitë në laboratorët kërkimorë (UPT)
